Premtuan që do të hapet më 24 nëntor, por nuk u hap.
Pishman i ranë edhe për 28 nëntor, kur thanë që do të hapet zyrtartarisht duke festuar kështu edhe Ditën e Flamurit.
Festivali i dimrit, i cili është planifikuar të zhvillohet për 45 ditë në sheshin “Xhorxh Bush”, nuk ka filluar punën ende.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilrik Musliu, thotë që arsyeja e moshapjes në datat që i kishte dhënë vetë ai është mosangazhimi i komisionit të Drejtorisë me të cilën udhëheq ai dhe Drejtorisë së Kulturës për zgjedhjen e gastronomëve.
Vetë Musliu më herët na kishte thënë që nuk ka interesim për pajisjen me shtëpizë për këtë festival.
Por së fundmi është shtuar edhe numri i shtëpizave. Ai thotë që në ditën e fundit janë shtuar aplikimet.
Këshilltari nga LVV, Petrit Reçica, thotë që qiraja e lartë që do të paguajnë bizneset për qëndrimin e tyre 45-ditore ka bërë që të vonohet procesi i përzgjedhjes së tyre.
Më 21 nëntor Komuna kishte njoftuar për shtyrjen e datës së hapjes. Sipas tyre, dekorimet e pakta të fundvitit, që janë bërë në sheshin “Xhorxh Bush”, kanë shtyrë hapjen.
Ishte paraparë që “Verë n ‘Dimër” të hapej që nga 28 nëntori dhe të zgjaste deri më 10 janar të vitit 2024.
Kurse gjatë së premtes në sallën e Kuvendit Komunal u zgjodhën me short bizneset që priten të pajisen me shtëpizë.