Organet e drejtësisë në Serbi e kanë caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji për Hasan Dakajn, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën dyshimet për krime lufte. Në MPJD thonë se po presin që pas festës së Krishtlindjes ortodokse t’u mundësohet takimi me Dakajn. Familjarët e tij shprehën të shqetësuar, pasi thonë se nuk din çfarë trajtimi është duke iu bërë atij.
Pesë ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave ish-pjesëtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, mori rrugë me të vëllanë për në Itali, nëpërmjet pikës kufitare në Merdar, ku edhe u ndalua e u arrestua nga autoritetet serbe.
Në një përgjigje të MPJD-së, Dakaj të shtunën ka dalë para Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës së Beogradit, me ç’rast i ёshtё caktuar masa e paraburgimit pёr 1 muaj.
Ministra ka treguar se ai nga prokuroria serbe po akuzohet për krime të luftës.
Kanë thënë se zyra ndërlidhëse nё Serbi, u ka paraqitur kërkesë zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jetish Jashari ta vizitojё Dakajn, nё mënyrë qё shteti tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet.
“Deri më tani kemi konfirmimin nga Ambasada amerikane në Serbi që zv.ambasadori Ginkel është duke u marrë me rastin në fjalë. Vizita tek ai ende nuk ёshtё realizuar. Presim që tani pas përfundimit të festës së tyre zyrtare të marrim përgjigje pozitive dhe vizita të realizohet pa vonesa”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Edhe vëllai i tij, Xhavit Dakaj, ka thënë se janë të shqetësuar për trajtimin që i bëhet atij. Ai bëri apel tek institucionet që të ndihmojnë për lirimin e tij.
“Jemi ndaluar nga Policia serbe në kufi në Merdar, na kërkuan dokumentet i dhamë si gjithmonë dhe pas kontrollimit të dokumenteve erdhën Policia pastaj na morën brenda dhe mua më thanë prit këtu, ndërsa vëllanë Hasanin e futën brenda. Veç e kam dëgjuar që i kanë thënë “Ti je UQKA” dhe pas disa orëve e dërguan në paraburgim në Kurshumli”, ka theksuar Dakaj.
Avokati i caktuar nga autoritetet serbe Vasiljević, ka thënë se të drejtat e Dakajt janë të mbrojtura maksimalisht.
“Të drejtat e tij janë të mbrojtura, sidomos në pjesën që ka të bëjë me respektimin e procedurës ligjore, njohjen me të drejtat si i dyshuar dhe të drejtën në gjuhë amtare, duke iu përkthyer çdo fjalë e thënë. Ai është shumë korrekt, gjë që e bën më të lehtë komunikimin. Familja është e informuar për gjithçka që nga fillimi. Kur të dojë, sigurisht se do ta vizitojë. Ai nuk ka asnjë vërejtje për kushtet e burgut (ushqimi, sjellja e gardianëve etj.) dhe nuk ka kërkuar asgjë të veçantë”, ka deklaruar ai.
Përveç avokatit të caktuar nga Serbia, familja e Dakajt ka angazhuar në Kosovë avokatin Xhevdet Smakiqi, ani se nuk mund të ketë bashkëpunim juridik në procesin e rastit me organet e drejtësisë në shtetin fqinj.
Ai thekson se ndalimi Dakajt ka qenë hakmarrje e Serbisë.
“Asnjëherë edhe sipas familjarëve edhe sipas avokatit që e kam kontaktuar ai është deklaruar tërësisht i pafajshëm dhe fare nuk përkon veprimtaria e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në lokacionet që pretendon Prokuroria e Serbisë, ka qenë i pafajshëm dhe është i pafajshëm”, theksoi Smakiqi.
Një rast i njëjtë sikurse ky i Dakajt pati ndodhur më 3 janar 2020, ku ishte arrestuar Nezir Mehmetaj ndaj të cilit ende ёshtё duke u zhvilluar proces gjyqësor nga Gjykata e Lartё pёr Krime tё Luftёs e Beogradit.