Shtatë vjet më parë, gjashtë turq u arrestuan në Kosovë e iu dorëzuan autoriteteve turke brenda ditës. Shpejt edhe u dënuan atje, të akuzuar si gylenistë. Por të mërkurën, katër prej tyre u paraqitën në Themeloren e Prishtinës për të dhënë dëshmi në rastin ku ish-shefi i AKI-së akuzohet se u përfshi direkt në dëbimin e tyre, duke shkelur procedurat ligjore
Dëbimi i gjashtë shtetasve turq, shtatë vjet më parë, pati shkaktuar një prej reagimeve më të mëdha në publik për mënyrën se si iu dorëzuan Turqisë brenda ditës.
Të akuzuar si pjesë e lëvizjes Feto, ata u gjykuan e u dënuan në Turqi me shumë vjet burgim.
Por të mërkurën, katër prej tyre ishin dëshmitarë në rigjykimin që në Kosovë po zhvillohet kundër shefit të atëhershëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, i akuzuar se ishte i angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e tyre, duke shkelur procedurat ligjore.
Seanca megjithatë dështoi, pasi në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk u paraqit përkthyesi turk.
“Për mungesën e përkthyesit lusim gjykatën që në intervalin kohor të arsyetojë mosprezencën e sotme në Gjykatë, atëherë do të ndërmerren veprime procedurale”.
Katër turqit ishin ftuar në rigjykim të rastit “Gylenistët”, si dëshmitarë të prokurorisë.
Në gjykimin e parë për rastin, më 2023, Themelorja e shpalli fajtor Gashin, duke e dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi nga MPB-ja dhe Rrahman Sylemani nga Policia ishin liruar nga akuza.
Por, në dhjetor të 2024-tës, Apeli e ktheu rastin në rigjykim vetëm sa i përket pikës 1 të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, teksa vërtetoi lirimin e dy të akuzuarve të tjerë.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi, shprehu kritika për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatat, pas dështimit të seancës të së mërkurës.
“Siç e pamë edhe sot, dështoi seanca në mungesë të përkthimit. Kjo është një lloj zhgënjimi dhe cenim i besimit të publikut në çështjen e zhvillimit të procesit gjyqësor, në një kohë më të shpejtë dhe të drejtë. Sistemi gjyqësor duhet të bëjë çmos që këto dështime të eliminohen në tërësi. Këshilli Gjyqësor dhe Gjykata duhet të jenë më të vëmendshëm dhe dështime të tilla të mos ndodhin”.
E Hilmi Jashari, ish-Avokat i Popullit, u shpreh se dëbimi i gjashtë shtetasve turq, ishte në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
“Konstatimi përfundimtar ka qenë që të gjitha veprimet kanë qenë në kundërshtim të plotë me këto standarde ndërkombëtare, sidomos me konventat që kanë qenë në fuqi. Ata kanë pasur një qëndrim sipas ligjit për të huajt, të rregullt në Kosovë, kanë pasur kërkesa të vazhdueshme në Ministri për vazhdimin e këtyre lejeqëndrimeve dhe kanë qenë në një marrëdhënie pune, të cilat janë rregulluar me një marrëdhënie pune, sipas ligjit në Kosovë”.
Katër nga gjashtë shtetasit turq të dëbuar nga Kosova në mars të 2018-s: Yusuf Karabina, Hasan Hyseyn Gunakan, Cihan Ozkan dhe Osman Karakaya janë kthyer në Kosovë vitin e shkuar.
Mustafa Erdem e Kahraman Demirez janë ende në Turqi.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Driton Gashi, si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale (drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës – AKI) akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.
PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.