Arbëri

Turqia e Serbia paralajmërojnë prodhimin e përbashkët të dronëve ushtarakë

Recep Tayyip Erdogan - Aleksandar Vuciq

Presidentët e Turqisë dhe Serbisë kanë paralajmëruar të premten se dy shtetet e tyre mund të bashkohen në prodhim të dronëve ushtarakë, pak muaj pasi dorëzimi i armëve turke në Kosovë nxiti reagim në kryeqytetin e Serbisë.

Përderisa Serbia pati përmendur më herët planet për të blerë dronët ushtarakë “Bayraktarë” nga Turqia, më 2023 ajo hoqi dorë nga plani pasi Turqia furnizoi me dronë Kosovën.

Kosova ka konfirmuar se pesë dronë nga Turqia do të forconin kapacitetet për mbrojtje nga sulmet e mundshme prej Serbisë. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vitin e shkuar pati thënë se furnizimi i Kosovës me dronë “as nuk është lajm i lehtë e as i mirë për Serbinë dhe do të ndikojë në raportet me Turqinë”. Ai pati deklaruar se Serbia do të kërkonte të blinte dronë diku tjetër.

Gjithsesi, udhëheqësi serb duket se ka ndryshuar ton të premten, kur e priti në Beograd presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

“Industria ushtarake e Turqisë është dukshëm më e fuqishme se e jona”, ka thënë Vuçiqi në konferencën e përbashkët për medie me Erdoganin. “Por, pa modesti, as ne nuk duhet të neglizhohemi. Brenda këtyre kornizave, shoh hapësirë për bashkëpunim të mirë”.

Ai ka thënë se “nuk jemi të interesuar në luftëra, por duhet të kemi fuqi të mjaftueshme për të ndalur këdo”.

I pyetur nëse bashkëpunimi në industrinë ushtarake do të përfshinte edhe prodhimin e dronëve Bayraktarë, Erdogani ka thënë se “Serbia ka kapacitete të caktuara, ne kemi të tjera dhe, si shtete mike, mund t’i zhvillojmë kapacitetet bashkë”.

“Ka njerëz në botë që do të donin të shihnin bashkëpunimin tonë dhe të tjerë që s’do ta donin, e kjo është e natyrshme, por përderisa jemi liderë, duhet t’i marrim këto vendime së bashku me bashkëpunëtorët tanë”, ka thënë Erdogani.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri të enjten, Erdogani po ashtu paralajmëroi se do t’ia dhurojë shtetit disa dronë “ashtu që askush të mos guxojë ta sulmojë”.

Një tjetër shtet në rajon, Bosnja ka shprehur dëshirë të blejë dronë të njëjtë, ndërsa Rumania që është pjesë e NATO-s tashmë ka përfshirë dronë të tillë në inventar.

Serbia së fundmi ka porositur edhe 12 aeroplanë luftarakë francezë Rafale, për tre miliardë dollarë.
Shitja e Rafalëve te aleati i Rusisë ka nxitur shqetësime. Siç shkruan Associated Press një nga shqetësimet është se si planifikon Franca ta parandalojë Serbinë që t’i ndajë me Rusinë teknologjitë moderne të Rafalëve.

Serbia është e rrethuar me shtetet e NATO-s dhe shtetet e Bashkimit Evropian.