Arbëri

Turizmi kulturor pa guidë

Brenda një hapësire të vogël në Prishtinë mund të shihni ndërtesa epokash e perandorish të ndryshme. Për të huajt gërshetimi i historisë brenda një hapësire kaq të ngushtë përbën atraksion të rrallë. Këtë mahnitje të turistëve e ka vërejtur ciceroni prishtinas Nol Musa. Por kundërthënieve u kanë kontribuuar edhe institucionet vendore. Sheshit, në zemrën e të cilit ndodhen monumente të pushtuesve serbo-jugosllavë, pas luftës iu la emri i kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari

Ngado që ktheni kokën në zemrën e Prishtinës së vjetër syri ju rrok objekte të cilat gërshetojnë histori të shekujve të ndryshëm në kryeqytetin e shtetit më të ri në kontinentin e vjetër. Janë shenja perandorish e regjimesh të ndryshme pushtuese. Vetë emrat e objekteve e kushtet e donatorëve të mundshëm për restaurimin e tyre shpesh nxisin debate e polemika në një vend që ende nuk e gëzon njohjen e plotë ndërkombëtare. Madje as të të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian që e aspiron.

Sheshi i kundërthënieve

Image
Për të huajt gërshetimi i historisë brenda një hapësire kaq të ngushtë përbën atraksion të rrallë

Por kundërthënieve u kanë kontribuuar edhe institucionet vendore. Sheshit, në zemrën e të cilit ndodhen monumente të pushtuesve serbo-jugosllavë, pas luftës iu la emri i kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Debati vazhdon në shoqërinë që ende nuk ka arritur ta mbyllë transicionin e stërzgjatur demokratik.

Por, për të huajt gërshetimi i historisë brenda një hapësire kaq të ngushtë përbën atraksion të rrallë.

Këtë mahnitje të turistëve e ka vërejtur ciceroni prishtinas Nol Musa.

“Prishtina është një vend kryesisht i vogël. Nëse e krahasojmë Prishtinën me kryeqytetet e tjera evropiane, atëherë mund ta vërejmë se ajo është një kryeqytet goxha i vogël”, thekson ciceroni Nol Musa. “Por prapëseprapë ka disa vende që patjetër duhet të vizitohen jo vetëm prej turistëve të huaj, por edhe prej popullatës vendase”.

Ai përmend zonën e vjetër të kryeqytetit ku ndodhen xhamitë më të vjetra, Muzeu Kombëtar i Kosovës, por edhe objektet e arkitekturës brutaliste jugosllave, siç janë Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Pallati i Rinisë dhe katedralja “Nënë Tereza”, ku është ekspozuar edhe një pikë e gjakut të tashmë Shën Terezës.

Çarshia e Gjakovës, qendër kafenesh

Objekte të ndryshme të kultit e të epokave të ndryshme historike veçojnë edhe Çarshinë e vjetër të Gjakovës.

Në krye të saj ende në kulla u bëhet konak turistëve të huaj, që në to, pos që bëjnë pushimin, mësojnë edhe copëza historie e rrëfime për arkitekturën e vjetër shqiptare.

Shkëlqim Jupa, pronar i hotelit “Çarshia e Jupave” në Gjakovë, tregon pse është ruajtur arkitektura e kullës në objektin e kthyer në konak për turistët.

“Për me qenë e përshtatshme për turistët që vijnë me vizitu qytetin e Gjakovës ka qenë e rëndësishme që kjo arkitekturë me qenë e vjetër, ndërtim i ri, por arkitekturë e vjetër për inkorporim në kuadër të Çarshisë së Madhe, edhe me qenë e kapshme për të huajt që vijnë me vizitu Gjakovën”, thekson Jupa në zyrën e tij.

Ai thotë se ruajtja e vlerave arkitekturore u ka lënë përshtypje mysafirëve të tij.

Por shumica e objekteve, ku dikur pikonte djersa e zanatlinjve të zejeve të ndryshme, janë kthyer në kafene përgjatë rrugës qendrore të Çarshisë.

Aktivistja britanike Elizabeth Gowing mendon se institucionet dhe shoqëria duhet të vetëdijesohen më shumë për vlerën që kanë traditat autentike të Kosovës për turistët e huaj.

“Kosova ka do tradita, ka do ndërtesa që nuk shihen askund tjetër në botë”, thekson Gowing, duke veçuar kullat në zona të thella, që mund të kthehen në bujtina me stil, “por në të njëjtën kohë shumë tradicionale”.

“Dhe këto sendet që nuk janë në Angli, as në Greqi, as në rajon, besoj se janë ato që i mahnitin turistët kur vijnë në Kosovë”, thotë ajo.

Urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit

Image
Vetëm në muajin e parë të pandemisë dëmet që i janë shkaktuar turizmit, sipas Unionit të Turizmit të Kosovës, llogariteshin rreth katër milionë euro

“Kosova si rajon dhe si pozitë gjeografike ka bërë të jetë njëfarë udhëkryqi, njëfarë kufiri që e ndan, por edhe e bashkon Lindjen dhe Perëndimin”, vlerëson Sali Shoshi, nga “Trashëgimia kulturore pa kufij” (CHwB).

Shoshi thotë se kjo vërehet në vlerat sociale, por edhe në ato arkitekturore të Kosovës.

Por pandemia e ka bërë të veten edhe në fushën e turizmit kulturor.

Vetëm në muajin e parë të pandemisë dëmet që i janë shkaktuar turizmit, sipas Unionit të Turizmit të Kosovës, llogariteshin rreth katër milionë euro.

Mbyllja e kufijve, izolimi dhe karantimi prekën vjet drejtpërdrejt turizmin e paktë që ka Kosova. Po vjet kishte kompani turistike nga Kosova që raportuan për zvogëlim të qarkullimit nga turistët e huaj për mbi 90 për qind. As rihapja e Kosovës për të huajt nuk ndikoi thuajse fare në turizëm për shkak se gjatë pjesës më të madhe të vitit Kosova ishte në listën e zezë shkaku i numrit të lartë të të infektuarve me koronavirus.

Edhe sipas raporteve të Bankës Botërore, ringjallja e turizmit do të jetë më e ngadalshme se në fushat e tjera.

Me gjithë dëmet e mëdha ekonomike që janë shkaktuar nga pandemia e COVID-19 në sektorin e turizmit, Qeveria e kaluar ka ndihmuar kompanitë vetëm nëpërmjet subvencionimit të pagave dhe një pjese të qirasë.

Joserioziteti i shtetit

Image
Përgjigje s’ka kush t’ju japë edhe turistët provojnë të marrin informacione në kioskën në qendër të Prishtinës për pikat turistike të kryeqytetit

Joserioziteti i qeverive dhe i shtetit ndaj turizmit është dëshmuar për vite me radhë. Vetëm më 2019, Kosova është paraqitur me një stendë pa program dhe me slogan të përsëritur në panairin më të madh të turizmit në botë “ITB 2019” në Berlin.

Qasja joserioze shihet edhe gjatë orarit të punës së institucioneve që do të duhej të ishin hapur për të pritur turistë që duan të njohin historinë dhe kulturën e Kosovës.

Nol Musës i ka rastisur t’i çojë kot turistët e huaj në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Dyert janë të mbyllura me dry edhe gjatë orarit të punës.

“Në Kosovë kemi shumë probleme që i prekin fushat kryesore të jetës dhe një ndër këto probleme është gjithashtu edhe lënia anash e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore”, thekson Mula para dyert të mbyllura të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ai thotë se mungon dora e kujdesit shtetëror edhe në objekte që kanë histori mijëravjeçare.

Përgjigje s’ka kush t’ju japë edhe nëse provoni të merrni informacione në kioskën në qendër të Prishtinës për pikat turistike të kryeqytetit.

Për mungesën e tabelave të vendeve më të rëndësishme për turizmin kulturor i kanë folur vizitorët edhe ciceronit të Tyrbes së Sulltan Muratit, Muamer Hasani.

Image
Tyrbja e Sulltan Muratit

“Keni pasur mundësi edhe vetë ta shihni derisa keni ardhur prej Prishtinës këtu – gjashtë-shtatë kilometra prej Prishtinës ose Obiliqit – dhe mungojnë shenjat informuese. Do të thotë po fillojmë prej gjërave elementare informuese e lëre më me pasë ndonjë promovim”, thekson Hasani.

Megjithëse llogaritet se janë më shumë se një pikë turistike që mund të vizitohen në Kosovë, qeveritë nuk kanë arritur të krijojnë një ofertë turistike a ndonjë strategji të qëndrueshme për zhvillimin e këtij sektori.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, Ngadhnjim Haxhosaj, thotë se institucionet komunale duhet të mbështesin nisma kulturore që do të joshnin turistë që do të kalonin disa ditë në qytetin e tij. Si shembull merr “DokuFestin”, që e kthen Prizrenin në pikë ndërkombëtare të turizmit kulturor në pikun e verës.

“Po për nxitjen ka shumë në Gjakovë, dhe, siç e patë edhe vetë, Gjakova ka Çarshinë më të madhe në Ballkan, por ia kanë humbur rëndësinë, sepse më shumë rëndësi u kanë dhënë kafeneve dhe kafeterive”, thekson Haxhosaj. “Më pak i është dhënë rëndësi pjesës historike”.

Kosova, pikë transiti

Haxhosaj mendon se Gjakova mund të kthehet në një qendër të rëndësishme turistike për shkak të ngritjes së numrit të turistëve që po kalojnë nëpërmjet këtij qyteti në pikat turistike malore në Shqipërinë Veriore.

Të dhënat tregojnë se para shpërthimit të pandemisë nisi të shënohej ngritje simbolike e numrit të turistëve të huaj, por të cilët Kosova nuk arrin t’i mbajë më shumë se dy ditë.

“Një natë qëndrimi e kanë kryesisht në Gjakovë”, tregon Jupa, derisa flet për ata që kalojnë natën në kullën-hotel derisa shkojnë e vijnë nga Shqipëria.

Zhvillimi i turizmit është lënë në duar të një departamenti në kuadër të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, me vetëm tre të punësuar për këtë fushë.

Përveç Ligjit për turizmin, i cili ka hyrë në fuqi më 2013, nuk ka asnjë legjislacion dytësor konkretizues. Ky ligj nuk e zgjidh madje as çështjen e guidave dhe ciceronëve, dhe rrjedhimisht në Kosovë nuk ka asnjë guidë e asnjë ciceron të licencuar.

“Fillimisht duhet të pranohet fakti se turizmi është resurs për zhvillim ekonomik”, thekson Shoshi, duke shtuar se “është resurs që bën zhvillimin ekonomik”. Shoshi mendon se turizmi duhet të jetë një prej qëllimeve kryesore për zhvillim ekonomik. Për këtë Shoshi thotë se duhet të investohet në pikat turistike, të përgatiten burimet njerëzore, si dhe të spikatet edhe trashëgimia shpirtërore që ende nuk janë dokumentuar e prezantuar.

Ndikimi në imazh

“Mendoj se njerëzit gjithmonë janë në kërkim të risisë dhe autenticitetit”, thotë Gowing, aktivistja britanike që tashmë ka marrë shtetësinë e Kosovës. “Dhe në këtë fushë Kosova ofron shumë, por kam parë se ndonjëherë njerëzit gabojnë, sepse mendojnë se duhet të bëhet ‘copy’ e ‘paste’ nga Turqia, nga Greqia, nga Shqipëria”.

Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se ndryshe nga Kosova, shtetet e rajonit i qasen shumë më seriozisht zhvillimit të turizmit. Kroacia është vendi që shpenzon më së shumti buxhet për turizmin, apo rreth 30 milionë euro, pasuar nga Shqipëria me 13.5 milionë, Serbia me tetë milionë, Mali i Zi 4.3 milionë, Maqedonia me 2.1 milionë euro dhe në vend të fundit Kosova me vetëm 100 mijë euro.

Hasani, ciceroni i Tyrbes së Sulltan Muratit, thotë se turistët shpesh vijnë me paragjykime për Kosovën dhe me të dhëna të pakta. Andaj ai mendon se investimi në turizëm përmirëson edhe imazhin e Kosovës në sytë e të huajve. “... por në të njëjtën kohë edhe për të dalë e vërteta në pah ose në shesh”.