Gjashtë muaj pas fillimit të punimeve, tuneli i “Kurrizit” nuk duket as për së afërmi ashtu siç paraqitej në fotografitë që shpërndante kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Përveç që nuk është punuar që projekti të marrë formë deri tash, tuneli i “Kurrizit”, është shndërruar në një deponi mbeturinash.
Qëkur u vendos të nisnin punimet në tunel, deri tash nuk është parë ndonjë punëtor të punojë aty.
Ndërkohë kryetari Përparim Rama ka deklaruar që për shkak të temperaturave të ulëta, dinamika e punimeve është zvogëluar por jo ndaluar tërësisht.
Ai ka premtuar se deri në fund të mandatit të tij tuneli do të përfundojë.
“Në atë pjesë janë duke vazhduar punët, mirëpo, nuk janë duke vazhduar ato punime të cilat janë stopuar nga temperaturat e ulëta. Ne kemi punë të mëdha në atë pjesë, ku duhet të përdoret betoni dhe derisa temperaturat janë nën 4 gradë celsius nuk mund të fillojmë, për këtë arsye janë ngadalësuar punimet në mënyrë kohore. Punët nuk do të ndalen, aty do të vazhdojnë me dinamikën e njëjtë. Gjithsesi do të përfundojë gjatë mandatit tim ky projekt”, ka thënë ai.
Fjalët e Ramës për përfundimin e tunelit, nuk i beson opozita në kryeqytet.
Besart Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, vonesën në përfundimin e projektit e quan papërgjegjësi totale.
“Gjendja në terren tregon diçka tërësisht ndryshe nga ajo që po thotë kryetari Rama. Kjo për faktin që aty është intensiteti shumë i ulët i punimeve edhe pse ka qenë e premtuar nga komuna që ky projekt të përfundojë në qershor të vitit të kaluar, tash e po e shohim që aty më shumë nuk punohet sesa që punohet dhe në këtë mënyrë po dëmtohen edhe bizneset përreth. Kjo situatë po paraqet problem edhe për banorët e lagjes ‘Dardania’. Kjo tregon një papërgjegjësi totale nga Komuna e Prishtinës në realizimin e punëve. Këtu edhe po dëmtohet buxheti i komunës por edhe po dëmtohet qytetari i Prishtinës”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi shprehet skeptik në përfundimin e projektit derisa thotë se mbyllja e tunelit ka shkaktuar edhe trafik në qytet.
Rinovimi i këtij tuneli, Prishtinës do t’i kushtojë 1.2 milion euro.
Rama punimet në tunelin e “Kurrizit” i pati quajtur rinovim artistik e infrastrukturor.
Projekti është paraparë të përfundojë në 240 ditë pune dhe finalizimi i tij kah mesi i vitit 2025. Por deri në këtë afat kanë mbetur pak më shumë se tre muaj.