Arbëri

Tri vendime të PZAP-së përfundojnë në Supreme

Numërimi i votave

Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se është duke shqyrtuar ankesa ndaj tri vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me procesin zgjedhor të 9 shkurtit. 

Një ankesë është e Lëvizjes Vetëvendosje dhe lidhet me vendimin e PZAP-së që hodhi poshtë ankesën e partisë në pushtet që të anulohet votimi me postë dhe të ketë rivotim për shkak se pretendojnë se Lidhja Demokratike (LDK) ka bërë manipulime. 

Një ankesë është e koalicionit PDAK-LPK.

“Në Gjykatë Supreme është pranuar një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër vendimit të PZAP A.nr.641/2025 dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, kundër vendimit të PZAP A.nr.639/2025”, thuhet në përgjigjen e Supremes. 

Ndërkohë që një ankesë tjetër është e kandidatit për deputet të PDK-së, Petrit Hajdari, e cila është dorëzuar të enjten.

“Gjykata Supreme e Kosovës, sot me date 20 mars 2025, ka pranuar një (1) ankese nga kandidati për deputet Petrit Hajdari nga Partia Demokratike e Kosovës-PDK, të ushtruar kundër vendimit te PZAP-së, A.636/20”, thuhet në përgjigje.

Nëse Supremja hedh poshtë ankesat, atëherë hapet rruga për certifikimin e zgjedhjeve.

Sipas rezultatit përfundimtar, LVV-ja prin me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.