Benjamini mezi i lidh shkronjat në rrokje. Mësimi i shkrimit dhe i leximit është sfida më e vështirë me të cilën po përballet sivjet. Thotë se askush nuk ishte marrë me të gjatë atyre dy vjetëve sa shkoi në shkollë. Edhe ashtu nuk ishte i rregullt, para se përfundimisht ta braktiste shkollimin. Do t’i bashkohej babait që mblidhte materiale metalike e plastike.
“E kur i bana pesëmbëdhjetë vjet, ia nisa me shku me babën m’i nimu me pre dru me sharrë e m’i ça”, thekson Benjamini nga Fushë-Kosova. 22-vjeçari nga komuniteti rom është baba i dy fëmijëve. Ishte martuar pa i mbushur shtatëmbëdhjetë vjet. Tani ëndërron botën perëndimore. Kjo është arsyeja kryesore pse mësoi në moshë madhore shkrimin e leximin.
Sikurse ai janë edhe shumë anëtarë të tjerë të pakicave rome, ashkalike dhe egjiptiane. Braktisja e shkollimit, martesat e hershme dhe shkalla e lartë e papunësisë në mesin e këtyre komuniteteve janë shqetësimet më të mëdha, thonë përfaqësuesit e tyre. Këtë e vërtetojnë edhe raportet vendore e ndërkombëtare të institucioneve e organizatave joqeveritare. Anëtarët e intervistuar të këtyre pakicave nuk presin ndryshime të mëdha as pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit. Madje i akuzojnë përfaqësuesit e tyre për krijimin e shumë partive politike me shtrirje lokale, sa për të realizuar interesat personale e familjare.
Mungesa e vetëdijesimit
Egjiptiani Haki Abazi, zyrtar për komunitete dhe kthim në Komunën e Obiliqit, ende mendon të regjistrohet në fakultet. 22-vjeçari thotë se vetëm pasi u punësua në administratën lokale e kuptoi rëndësinë e shkollimit. Deri më 2011, familja kishte jetuar në baraka në kampe të improvizuara refugjatësh në Maqedoninë Veriore.
“Rinia duhet me u fokusu së pari në arsim”, thekson Abazi në njërën prej kafeneve në qendër të qytezës qendrore me popullsi të përzier etnike e me ndotjen më të madhe për shkak të termocentraleve. “Ne po punojmë me i vetëdijësu prindërit, sepse pikë së pari, nëse prindërit janë të arsimuar, edhe fëmijët nuk do ta ndjekin shkollimin. Ne si institucion jemi përqendru së pari te vetëdijesimi, sepse prindërit nuk po iu rrijnë gati, dhe fëmijët po e nalin shkollën”.
Në kohë mësimi, shumë fëmijë luajnë në oborrin plot mbeturina te dy ndërtesat e banimit kolektiv në Plemetin. Anash tyre, disa kryefamiljarë kanë ndërtuar ahure për kafshë shtëpiake. Pulat kokorisin.
“Hajde fol se je kandidat për deputet”, i drejtohet Abazi njërit prej burrave që kalojnë kohën kot para ndërtesave. Burri nuk flet. “Romët e ashkalinjtë nuk i votojnë partitë e veta. I votojnë këto të mëdhajat”, shton Abazi, i cili disa herë ngulmon që të falënderohet kryetari aktual i Obiliqit nga radhët e AAK-së, Xhafer Gashi.
Abazi thotë se Komuna në bashkëpunim me nivelin qendror dhe me organizatat joqeveritare ndan bursa për nxënësit romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Ka edhe programe për shkollim joformal. Një pjesë e programit zbatohet në katin e parë të njërës prej ndërtesave kolektive në Plemetin. Një përgjegjëse e ditës thotë se nuk është e autorizuar të flasë për media. “Pse s’po fol ti se je kandidate për deputete”, i drejtohet Abazi njërës prej dy shoqërueseve të përgjegjëses. Asnjëra nuk flet.
Sikurse Benjamini nga Fusha-Kosova, edhe të rinj të tjerë në Plemetin thonë se duan të largohen nga vendi për të nxjerrë veten dhe familjen nga mjerimi ekonomik e social. Mundësitë i kanë të kufizuara. Ëndrrat të mëdha.
“Me kallxu dogri, kjo rini pa punë mezi po pret me ikë, veç puna e vizave se në plan e kanë me dalë”, thotë Hakif Mustafa, anëtar i komunitetit ashkali në Plemetin.
“Dihet, çështja ekonomike, çështja e arsimit dhe tjerat nuk e bëjnë rininë me u ndi mirë. Nuk po mund ta gjejnë veten si rini në Kosovë, është krejt çështja e punësimit”, thotë Abazi në Obiliq.
Në përgjithësi, nivelet më të larta të arritjeve në arsim janë të lidhura ngushtë me rezultate më pozitive në tregun e punës. “Të rinjtë nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian janë në disavantazh të madh krahasuar me të rinjtë e tjerë në lidhje me arritjet e tyre në arsim. Shkalla e shkrim-leximit dhe arritjet në arsim të këtyre komuniteteve janë më të ulëta se ato të pjesës tjetër të popullsisë”, thuhet në hulumtimin e Organizatës Botërore të Punës, “Perspektivat e të rinjve romë, ashkalinj dhe egjiptianë mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë”, bazuar mbi hulumtimet në Gjakovë, Fushë-Kosovë e Graçanicë. Sipas hulumtimit, krahasuar me rreth 98 për qind të popullsisë së përgjithshme që dinë shkrim-lexim, vetëm 73 për qind e grave dhe rreth 87 për qind e meshkujve romë, ashkalinj dhe egjiptianë dinë shkrim-lexim.
Pasojat e diskriminimit
Autorja Ada Huibregtse shkruan se rinia e këtyre pakicave përballet me sfida të ngjashme në tregun e punës, si: diskriminimi, njohuri dhe informacione të pamjaftueshme për tregun e punës dhe ndërmarrësinë, arsimi i ulët dhe varfëria. “Ndryshe nga të rinjtë e komunitetit ashkali dhe egjiptian, shumica e të rinjve romë nuk e flasin gjuhën shqipe, gjë që zvogëlon mundësitë e tyre në tregun e punës jashtë enklavave me popullsi shumicë joshqiptare”, thuhet në raportin e publikuar vjet.
Të rinjtë romë, ashkalinj dhe egjiptianë kanë shkallën më të lartë të papunësisë, joaktivitetit dhe të popullatës që nuk është as në shkollë, as në punë e as në aftësim profesional. Ata kanë nivele më të larta të varfërisë, arritje më të ulëta arsimore dhe qasje më të ulët në shërbime të tjera publike në krahasim me popullatën tjetër të Kosovës, bëhet e ditur në studimin e Organizatës Botërore të Punës, të mbështetur nga Ministria izraelite e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shërbimeve Publike. Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët kanë shkallë papunësie të të rinjve prej 49 për qind të rinj, jo në shkollë apo trajnim 78 për qind, siguri ushqimore 57 për qind dhe përdorim të shërbimit shëndetësor parësor 54 për qind
Megjithëse komplekse, korniza ligjore dhe institucionale e Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë siguron një bazë të fortë për promovimin e respektimit të të drejtave individuale dhe grupore.
Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët përbëjnë dy për qind të popullsisë së Kosovës. Statistikat zyrtare flasin për 8824 qytetarë romë ose 0.5 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Kosovë. Kanë prejardhje nga India Qendrore. Huibregtse shkruan se gjuha e tyre dallon nga gjuhët zyrtare në Kosovë. Komuniteti ashkali është më i madhi nga këto tri komunitete me 15.436 pjesëtarë ose një për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Komuniteti ashkali jeton kryesisht në zona urbane, me përqendrim në komunat e Ferizajt, Fushë-Kosovës, Lipjanit, Prizrenit dhe Shtimes. Besohet se kanë prejardhjen nga Persia e Lashtë. Komuniteti egjiptian përbëhet nga 11.524 pjesëtarë ose më pak se një për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Egjiptianët jetojnë kryesisht në zona urbane me përqendrim më të madh në komunat e Gjakovës, Pejës, Istogut dhe Klinës. Gjurmët e origjinës së tyre flasin për prejardhje nga Egjipti i Lashtë.
Sylë Berisha thotë se nuk ua di emrat të gjithë nipave e mbesave. “Janë ba tridhetë gati”, thekson gjyshi 56 vjeç nga Fushë-Kosova. Katër prej pesë djemve dhe dy prej katër vajzave janë të martuar. “Jetojmë me një shtëpi me katër dhoma kejt bashkë. Na burrat po shtrihemi në sallon qaty ren me ba gjumin”, tregon Berisha para parcelës prej pesë ari që e ka blerë në Plemetin. E ka rrethuar krejt truallin me mur. Punën ia ka ndalë në themel Inspektorati i Komunës së Obiliqit pasi nuk ka marrë as leje qëndrimi si banor i ri në këtë komunë e as për ndërtimin e shtëpisë. Madje takimi me Abazin, zyrtarin për kthim dhe komunitete, tensionohet goxha shumë pasi Berisha thotë se është shtrënguar të marrë kredi prej dy mijë e pesëqind eurosh për të kryer ndërtimin e vrazhdë. “Edhe mu kur kam dashtë me zgjanu shpinë në Obiliq, ka ardhë inspektorati dhe ma ka shti me marr leje. A po doni shtet e ligj. Kumuna m’ka shti me marr leje edhe pse vetë punoj aty”, ia kthen Abazi.
Berisha, pasi shtensionohet, thotë se i ka kërkuar vajzës së martuar në Lipjan ndihmë për të blerë drutë. “E thirra Agnesën se vallahi s’di qysh ja baj”, shton ai. 24 vjet ka punuar para luftës në KEK, por nuk e kthyen në punë autoritetet shqiptare pas luftës me pretendimin se “nuk mujmë me të garantu sigurinë tane se je minoritet”.
“Atëherë u patën punësu ma shumë të Drenicës”, kujton ai. Djemtë i punojnë kohë pas kohe punë fizike. Ushqimin e sigurojnë duke mbledhur mbeturina plastike e metalike nëpër Prishtinë. Pastaj i ngarkojnë në një traktor dyrrotësh. “Vallahi bre kur ka alumin e naj bakër, shkon deri në 12 euro dita, po ku është nafta e buka”, thotë ai.
Martesat e hershme, sfidë e përhershme
Një pjesë të fitimit të punës me sharrë të druve i shkon për ushqim edhe Mensur Kadrollit nga Dubrava e Ferizajt. Shkollën e ka braktisur qysh në fillore. Shtatëmbëdhjetëvjeçari është martuar vjet. Babai i ka punuar gjashtë muaj në Itali, por “me 900 euro rrogë, nuk i mbetke kurrgjo për familje se jo me pagu banesën, jo ushqimin, ujë e rrymë”. Bashkë po punojnë që të dalin sa më shpejt në shtëpinë e re, pasi në të vjetrën është kufizuar hapësira pas martesës së Kadrollit.
Në hulumtimin e Organizatës Botërore të Punës thuhet se gratë e reja rome, ashkalike dhe egjiptiane janë më shpesh subjekt i martesave të hershme sesa djemtë në komunitetet e tyre dhe gratë e reja nga komunitetet e tjera. Të dhënat tregojnë se rreth 12 për qind e femrave nga këto komunitete martohen para moshës 15-vjeçare, krahasuar me vetëm një për qind të djemve nga këto komunitete dhe më pak se një për qind e grave nga komunitetet e tjera që martohen para kësaj moshe. Pothuajse 43 për qind e femrave rome, ashkalike dhe egjiptiane deri në moshën 18 vjeç janë të martuara ose në bashkëjetesë krahasuar me vetëm 14 për qind të të rinjve nga komunitetet e tyre dhe 10 për qind të femrave nga komunitetet e tjera, thuhet në “Perspektivat e të rinjve romë, ashkalinj dhe egjiptianë mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë”.
“Me gjasë martesa e hershme është një nga shkaqet e arritjeve të dobëta të femrave në arsim dhe në tregun e punës”, shkruan autorja Huibregtse, me rekomandimin se për të adresuar sfidat dhe për të garantuar trajtim e mundësi të barabarta për të rinjtë romë, ashkalinj dhe egjiptianë duhet të zbatohet plotësisht legjislacioni ekzistues.
“Mekanizmat, mjetet dhe programet duhet të përqendrohen tek përmirësimi i qasjes në këshillimin për karrierë dhe informacionin për tregun e punës dhe përmirësimin e shkathtësive bazike dhe të avancuara për punësueshmëri ose ndërmarrësi”, thuhet në hulumtim. “Të gjithë mekanizmat duhet të marrin parasysh dallimet gjinore dhe duhet të përqendrohen tek vajzat e reja, të cilat zënë pozicionin më pak të favorshëm në tregun e punës”.