Mungesa e stafit mjekësor dhe problemet me furnizimin me energji elektrike kanë lënë tri fshatra të Ferizajt pa qendra të mjekësisë familjare. Banorët thonë se tashmë janë të detyruar të udhëtojnë për në qendrat më të afërta e të cilat janë disa kilometra larg
Shiqeri Sejdiu nga fshati Gaçkë i Ferizajt është i diagnostikuar me diabet dhe kjo e kushtëzon atë të kryejë vizita të shpeshta në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Prej tre muajsh ai detyrohet t’i marrë shërbimet bazike mjekësore në një qendër tjetër, pasi ajo në fshatin ku jeton është mbyllur.
Qendra më e afërt ndodhet pesë kilometra larg.
“E nevojshme është për 350 banorë këtu, e për këtë e kemi ndërtu këtu ambulancën edhe u mbyll. Kjo është tmerr”, thotë Sejdiu.
Kjo qendër ka shërbyer edhe për banorët e tri fshatrave të tjera përreth.
Përveç në fshatin Gaçkë, janë mbyllur edhe qendrat e mjekësisë familjare në Varosh dhe Talinoc të Ferizajt.
Banorët thonë se kjo u ka shkaktuar probleme në marrjen e shërbimeve mjekësore.
“Tash duhet me shku në fshatin Greme. E kemi tri kilometra larg dhe aty të gjitha shërbimet kryhen”, ka thënë Ramiz Musa, një banor tjetër. “Çdo fshat duhet me pasë çdo shërbim, është mirë me pasë të vetin. Secili fshat, mos të them secila lagje, duhet me i pasë shërbimet ma afër”.
Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka deklaruar se qendrat e mjekësisë familjare janë mbyllur, shkaku i mungesës së stafit dhe i problemeve me furnizimin me energji elektrike.
“Vazhdueshëm kemi bërë kërkesa te Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave për ngritjen e numrit të të punësuarve te sektori i shëndetësisë, mirëpo fatkeqësisht kemi hasur në vesh të shurdhër. Pavarësisht që tani Komuna e Ferizajt është zyrtarisht komuna e tretë për nga numri i banorëve, mirëpo nuk është duke u trajtuar njëjtë edhe me punën e ngritjes së stafit mjekësor”, ka thënë Marevci. “Ka raste që janë mbyllur edhe si pasojë e … tanimë dihet e ndaljes së shpeshtë të energjisë elektrike”.
Kjo situatë është përkeqësuar pas ndërprerjes së kontratës mes Komunës së Ferizajt dhe organizatës “Caritas Kosova”, e cila kishte të punësuar qindra mjekë dhe infermierë. Ndërprerja është bërë shkaku i mungesës së buxhetit komunal.