Arbëri

Tri ditë para seancës konstituive, Kurti ende pa përgjigje për formimin e qeverisë

Kurti

Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdon të mos japë përgjigje të qarta nëse Lëvizja Vetëvendosje i ka siguruar votat e nevojshme për të formuar qeverinë e re.

Gjatë një deklarimi për media të shtunën, në ceremoninë e hapjes së pikëkalimit të përbashkët kufitar me Maqedoninë e Veriut në Bllacë, Kurti u pyet nga gazetarët rreth formimit të qeverisë. Por as këtë herë nuk dha përgjigje.

Në javët e fundit, Kurti ka zgjedhur të qëndrojë i heshtur sa herë është pyetur për numrat e nevojshëm për qeverisje, duke lënë të hapur shumë pikëpyetje në lidhje me mundësinë e krijimit të shumicës parlamentare.

Ndërkohë, zyrtarët e Vetëvendosjes kanë dhënë deklarata të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Të enjten, disa prej tyre, përfshirë ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, shprehën bindjen se LVV-ja i ka siguruar 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeministrit.

Megjithatë, disa ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pranoi se pa një koalicion nuk mund të arrihet formimi i qeverisë. Po ashtu, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se partisë i mungojnë ende 2-3 vota për të arritur shumicën e nevojshme.

Seanca konstituive e Kuvendit, e cila do të mbahet më 15 prill, mbetet e shoqëruar me dilema të mëdha. Ende nuk është e qartë nëse partia fituese do të mund të sigurojë votat për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe për më pas, formimin e qeverisë.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 ulëse në Kuvend.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Albin Kurti i dërgoi ftesë për takim kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut. Megjithatë, Abdixhiku e refuzoi ftesën, duke deklaruar se gjuha përçarëse që, sipas tij, LVV-ja ka përdorur ndaj LDK-së, nuk e lejon një komunikim të tillë.