Redaktori i KOHËS, Besnik Krasniqi, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk synon që të qeverisë më vetëm pasi sipas tij, nuk dëshiron ta bartë krejt koston e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Krasniqi është shprehur të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të ardhshme do të kërkojë për një koalicion më të gjerë.
“Rezultati zgjedhor nuk pres që t’ia japë këtë mundësi...Unë mendoj se pse ka kosto elektorale, Kurti e të tjerët synojnë të bëjnë një koalicion më të gjerë dhe pritjet e mia janë se kjo do të ndodhë. Pas zgjedhjeve të ardhshme Kurti të mos qeverisë vetëm dhe të ndajë hisen në raport me zbatimin e Marrëveshjes, në veçanti krijimin e Asociacionit”, ka deklaruar ai.
Sipas Krasniqit, Asociacioni është çështje që ka kosto elektorale, e siç ka thënë ai, Kurti është përballur me presionin publik “e edhe njerëzit ia kanë kthyer shpinën”.
Gjinovci: Kurti s'di të qeverisë, i shkojnë për shtati situatat e jashtëzakonshme
Panelisti i emisionit “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk po di të qeverisë, por sipas Gjinovcit, Kurtit i pëlqejnë situatat e jashtëzakonshme.
Gjinovci ka thënë të mërkurën se Kurti nuk e ka problem presionin ndërkombëtar.
“Albin Kurti s’e ka problem presionin e ndërkombëtarëve, ai është politikan që i ka qejf situatat e jashtëzakonshme. Ai nuk po di të qeverisë, sikur të mos ishin situatat e jashtëzakonshme s’do të kishim çka të flisnim. Atij (Kurtit) i konvenojnë situatat e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Sipas Gjinovcit, kryeministri duhet t’i përfundojë disa punë para se të shkohet në zgjedhje “pasi s’ka çka tregon”.
Hyseni: Kurti po e shfrytëzon PDK-në
Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po e shfrytëzon Partinë Demokratike të Kosovës.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së Hyseni ka thënë se Kurti sërish do të tentojë të qeverisë i vetëm.
“Unë nuk jam fare i bindur, siç po flitet, që përmes kësaj darke po gatitet koalicioni i ardhshëm, thjeshtë Kurti po e shfrytëzon PDK-në dhe tentativa e tij do të jetë sërish që të qeverisë vetë. Kush ta ndan pushtet pa pasur nevojë”, ka thënë ai.