Menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” ka mohuar pretendimet se po do ta shkarkojë kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
Në një postim në Facebook në faqen e Sindikatës më 5 nëntor, Jonuzi pati pretenduar se menaxhmeti i “Trepçës” të shtunën ishte mbledhur për ta shkarkuar nga pozita e kryetarit.
Në një përgjigje për KOHËN të enjten, menaxhmenti ka thënë se takimi i së shtunës me inxhinierët e ndërmarrjes, që janë pjesë përbërëse e Sindikatës, ka qenë për çështje pune.
“Pretendimet në fjalë nuk qëndrojnë. Takimi ka qenë me inxhinierë të ndërmarrjes për çështje pune, takim i natyrës së punës. Inxhinerët janë pjesë përbërëse e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës. Sindikata është organ i pavarur dhe mund të veprojë si të dojë”, thuhet në njoftim.
Në postimin e gjatë, Jonuzi pati thënë se menaxhmenti i “Trepçës” po do ta shkarkojë pasi ka ngritur zërin për shkeljen e të drejtave të minatorëve, kushtet jashtëzakonisht të dobëta të punës, mospagesën dhe vonesat e vazhdueshme të pagave, si dhe përndjekjen e atyre që mendojnë ndryshe nga menaxhmenti.
“Ky reagim vjen si përpjekje për të mbrojtur dinjitetin e minatorëve dhe për të siguruar kushte më të drejta dhe të qëndrueshme pune për ta”, pati shkruar ndër të tjera ai.