*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”! Anëtarët e komunitetit rom, ashkali e egjiptas diskriminohen në procese punësimi, e edhe kur sigurojnë një vend pune, përballen me ambient përjashtues, meqë shpesh bëhen objekt talljeje e fyerjeje, shkaku i përkatësisë etnike. Kryesisht kryejnë punë të përkohshme, dhe zakonisht punë krahu, mirëmbajtës e shitës në rrugë. Aktivistë të shoqërisë civile thonë se më mirë se në sektorin privat, situata nuk është as në atë publik, në të cilin shpesh abuzohet me kuotat e parapara për komunitetet e margjinalizuara
Blendi Kabashaj është i papunë. Ai i përket komunitetit rom dhe thotë se edhe në ato pak intervale kohore që punoi, u përball me ambient përjashtues, meqë shpesh u bë objekt talljeje e fyerjeje, shkaku i përkatësisë etnike.
Ky 24-vjeçar thotë se me etiketat që iu bënë, veçse është mësuar.
“Është fjala ‘magjup’ për shembull. ‘Këqyre këtë magjupin ka hy me punu me neve’... e kështu. Jam ndier pak i dalluar edhe jam ndier keq, po edhe jam mësuar se edhe në shkollë kam hasur në këso problemesh”, ka thënë Kabashaj.
Blendi vijon studimet dhe, në përpjekjen për të siguruar një vend pune, shkoi të kryejë praktikë në një market.
“Kam pasur diskriminim racor. Pas një muaji praktikë, të gjithë shokët e mi janë pranuar, vetëm unë jo”, ka treguar ai.
Në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar qytetarëve, 83 për qind e atyre që u përgjigjën, shprehën besimin se pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali e egjiptas diskriminohen në procese punësimi. Ndërkaq 51.1 për qind e atyre që u deklaruan se u përkasin këtyre komuniteteve, thanë se janë diskriminuar, kurse 57.4 për qind, se janë paragjykuar nga punëdhënësi ose kolegët e punës, shkaku i përkatësisë etnike.
Autoritetet nuk treguan se sa është shkalla e papunësisë tek anëtarët e këtyre komuniteteve. E, aktivistë të shoqërisë civile thanë se ajo është shumë më e lartë, sesa te komunitetet e tjera.
Amanda Toska, aktiviste e organizatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, thotë se romët, ashkalinjtë e egjiptasit kryesisht kryejnë punë të përkohshme, dhe zakonisht punë krahu, mirëmbajtës e shitës në rrugë. Sipas saj, burimi i problemit është te shkollimi.
“Kur ata kanë filluar të shkojnë në shkollë janë bullizuar, janë diskriminuar. Nuk kanë pasur mbështetje as institucionale, por as të vetë familjes, duke e marrë parasysh që gjendja socio-ekonomike nuk është edhe shumë e dëshirueshme edhe sot”, ka thënë Toska.
Bazuar në ligjin për shërbimin publik, 10 për qind e vendeve të punës në institucionet qendrore duhet të plotësohen nga pjesëtarë të komuniteteve, e në komuna në proporcion me përqindjen që komunitetet kanë.
Në sektorin publik të Kosovës janë të punësuar mbi 80 mijë, por nga ta, vetëm 297 janë anëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.
Genc Broqi, drejtor i organizatës “Roma Versitas Kosovo”, thotë se institucionet po abuzojnë me kuota.
“Nëpër institucione në shumë raste abuzohet me kuota. Ka edhe të kualifikuar, kemi studentë që i kemi përcjellë me vite që janë të diplomuar dhe kualifikuar, por nuk pranohen. Hapen pozita për infermierë ose teknikë medicinalë, shkon aplikon, është i kualifikuar, thirret me kuotë, por nuk pranohet”, ka thënë Broqi.
Respektimi i kuotave bëhet vetëm në nivelin e përfaqësimit në Kuvend dhe në Kabinetin qeveritar.
Fridon Lala është deputet dhe anëtar i komunitetit egjiptas. Ai thotë se së fundmi janë marrë disa nisma për ta ndryshuar situatën.
“Gjatë këtij mandati, kemi marrë dy hapa: E para është strategjia për nxitjen e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në institucione publike, dhe e dyta, kemi hapur konkurse të veçanta për punësimin e këtyre tri gupeve në ministri të ndryshme në nivel qendror”, ka thënë deputeti Lala.
Edhe në Qeveri thanë të jenë marrë masa për ta ndryshuar situatën.
Elizabeth Katherine Gowing është këshilltare për çështjen e komuniteteve, e kryeministrit Albin Kurti. Në një përgjigje me shkrim, ajo listoi disa iniciativa që kryesisht kanë të bëjnë me arritjet në arsim si bazë për qasje në vend pune cilësore, e që kryesisht përfshijnë ndarjen e granteve dhe bursave për nxënës e studentë.
“Për qasje në tregun e punës, kisha veçuar iniciativa si në vijim: Për përmirësim në arritjet në arsim si bazë për qasje në vend pune cilësore: Ndarja e granteve për qendrat mësimore që ofrojnë mësim shtesë për fëmijët e këtyre komuniteteve – deri tash 650.000 euro; Ndarja e bursave për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në shkollat e mesme – 500 bursa çdo vit; Ndarja e bursave për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në universitetet publike. Deri tash, 80 bursa, secila prej 1000 euro, janë ndarë; Iniciativa të shtuara për parandalimin e braktisjes në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas; Takime për universitetet publike me OJQ-të që punojnë me komunitetet, si dhe me institucionet qendrore për ndarjen e praktikave të mira në mentorimin e studentëve, për të siguruar vazhdimin e tyre në studime dhe sukses akademik”, ka thënë Katherine Gowing.
Por, në rastin e Kosovës, shkollimi nuk përbën garanci për t’i evituar barrierat.
Blendi Kabashaj është prej atyre anëtarëve të komunitetit rom që edhe ka ndjekur shkollimin parauniversitar e edhe ka regjistruar studimet. Por, është përballur me diskriminimin kur ka synuar ta sigurojë një vend pune, ndërsa e ka përjetuar në lëkurë talljen dhe fyerjen gjatë asaj pak kohe sa punoi në një ambient me anëtarë të komuniteteve të tjera.