Një person ka vdekur të dielën në një aksident në autostradën “Arbën Xhaferi”, kurse të shtunën edhe dy të tjerë në aksidente të ndara – njëri nga ta nuk doli i gjallë pasi vetura i është kapluar nga flakët në aksident. Zyrtarë policorë thanë se numri është “tepër shqetësues”. Rritja e aksidenteve ka ndodhur, ndonëse autoritetet kanë rritur veprimet në funksion të parandalimit të tyre, pas rritjes së automjeteve në qarkullim gjatë sezonit të vizitave nga mërgimtarët
Tre persona kanë vdekur gjatë vikendit në aksidente trafiku në Kosovë e një numër i madh kanë marrë lëndime.
I fundit ka humbur jetën të dielën në autostradën “Arbën Xhaferi”. Krahas tij, vozitësi i veturës ka pësuar lëndime të rënda në vetaksidentin e ndodhur në orët e hershme të kësaj dite.
Policia ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur në kilometrin e tretë të drejtimit Lipjan-Prishtinë.
I lënduari është duke u trajtuar në QKUK, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur pasi vetura ka devijuar rrugën duke e goditur fillimisht anësoren e autostradës dhe më pas duke përfunduar jashtë rrugës.
Ai ka bërë të ditur se në ditën paraprake kanë ndodhur edhe dy aksidente të tjera me fatalitet.
“Kjo është tepër shqetësuese pasi në të dy rastet e raportuara kemi të bëjmë me vetaksidente, ku drejtuesit e automjeteve ose kanë humbur kontrollin mbi veturën, ose kanë devijuar rrugën si rezultat i pakujdesisë, ku dyshohet edhe se ka ardhur deri tek pasojat fatale”, ka thënë Hoxha.
Të shtunën mbrëma Policia ka raportuar se një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku mes një furgoni dhe një veture në fshatin Gllarevë të Klinës.
Policia ka njoftuar se dy automjetet janë përfshirë nga flakët si pasojë e aksidentit. Sipas Policisë, drejtuesi i veturës së kapluar nga flakët nuk ka arritur të dalë nga vetura dhe ka humbur jetën. E, drejtuesi i furgonit të përfshirë në aksident është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi tjetër si i dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.
Të shtunën gjatë ditës një aksident me fatalitet ka ndodhur në Shtupeq të Pejës. Një person vdiq dhe një tjetër është lënduar pas vetaksidentit me motoçikletë në këtë fshat të rajonit të Rugovës.
“Në të (motoçikletë v.j.) kanë qenë dy persona, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë dhe tjetri ka marrë lëndime trupore. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendngjarje kanë dalë njësitet kompetente dhe prokurori i shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për mundësinë e shtimit të aksidenteve tash kur është shtuar numri i automjeteve në qarkullim me ardhjen e mërgimtarëve, kanë paralajmëruar institucionet shtetërore.
Të enjten Këshilli i Sigurisë ka zhvilluar një takim në të cilin, përveç çështjeve të përgjithshme është diskutuar edhe për sigurinë në komunikacion.
“Përveç tjerash, në takim u diskutuan edhe çështjet e përgjithshme të sigurisë publike, dhe sfidat aktuale të ndërlidhura me zjarret dhe sigurinë në komunikacion. Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim i kanë shtuar aktivitetet e tyre për të parandaluar, por edhe mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarreve, si dhe masat tjera në shërbim të rritjes së sigurisë në komunikacion”, thuhet në njoftim.
Aksidentet me fatalitet janë shtuar, përkundër zotimit të autoriteteve se do t’i shtojnë përpjekjet edhe për vetëdijesimin e qytetarëve për sigurinë e shtuar në trafik.