Koci: Pres që Serbia t’i dorëzojë të akuzuarit për rastin “Banjska”

6 muaj më parë / 9 tet 2024 10:26
Arianit  Koci

Photo: Driton Paçarada

Arianit Koci, avokat i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, ka deklaruar se ka informacione se për rastin “Banjska” ka edhe shumë persona të tjerë të përfshirë, duke shtuar se pritet nëse do të ketë aktakuzë të re ose të zgjerohet e njëjta.

Ai ka deklaruar pas seancës shqyrtuese se hetimet mbi këtë rast po zhvillohen vrullshëm, duke shtuar se pret që Serbia t’i dorëzojë të akuzuarit.

“Kam informacione që ka edhe shumë persona të tjerë të përfshirë, por a do të ngrihet edhe një aktakuzë e re po apo do të zgjerohet, mbetet në strategjinë e prokurorit...Hetimet për këtë rast po vazhdojnë në mënyrë të vrullshme. Për këta 42 personat e akuzuarit për ta më jetë nuk ka, të gjithë janë në kërkesën e kuqe të Interpolit. Ata jo që nuk mund të dalin nga Serbia, por pres që në çdo moment Serbia ose kur t’i vjen koha t’i dorëzojë në Kosovë”, ka deklaruar Koci.

Asnjë nga tre të akuzuarit s’e pranojnë fajësinë për rastin “Banjska”

6 muaj më parë / 9 tet 2024 10:07
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq

Photo: Alban Bujari

Asnjëri nga tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit një vit më parë, nuk ka pranuar fajësinë.

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.

Me kaq ka përfunduar shqyrtimi fillestar dhe ka përfunduar seanca.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë vetëm tre nga 45 personat që akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë.

Në seancën që ishte shtyrë (27 shtator), Themelorja njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për t’i kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë, edhe për pjesën tjetër të të akuzuarve që kishte ikur.

Më 11 shtator Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit (ish-nënkryetar i Listës Serbe) dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë. Si rezultat i dhunës së përdorur u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku.

45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Nis seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska”

6 muaj më parë / 9 tet 2024 10:05
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq

Photo: Alban Bujari

Ka nisur seanca ndaj tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm në rastin “Banjska”.

Seanca ndaj Blagoje Spasojeviqit, Vladimir Toliqit dhe Dushan Maksimoviqit më 27 shtator ishte ndërprerë me kërkesë të mbrojtjes së tyre, me arsyetimin se i kanë pranuar me vonesë shkresat e lëndës.

Seanca ka nisur me leximin e emrave të të akuzuarve. Prokurori po e lexon aktakuzën.

Pritet që tre të akuzuarit për rastin “Banjska” të deklarohen rreth fajësisë

6 muaj më parë / 9 tet 2024 09:56
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet që sot (e mërkurë) të mbahet seanca fillestare ndaj tre prej 45 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq pritet të deklarohen sot rreth fajësisë, pasi seanca e 27 shtatorit ishte ndërprerë me kërkesë të mbrojtjes së tyre, me arsyetimin se i kanë pranuar me vonesë shkresat e lëndës.

Në atë seancë, Themelorja njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për t’i kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë, edhe për pjesën tjetër të të akuzuarve që kishte ikur.