Arbëri

Transportuesit nga Podujeva kërkojnë anulimin e vendimit që ndalon futjen e ndërurbanëve në Prishtinë

Greva e Shoqatës së Transportit të Podujevës, e nisur të mërkurën, ka detyruar qytetarët të kërkonin alternativa të ndryshme për të mbërritur në Prishtinë. Shoqata kundërshton vendimin e Komunës së Prishtinës për ndalimin e hyrjes së autobusëve ndërurbanë në qytet dhe paralajmëron vazhdim të grevës. E nga Komuna e Prishtinës thonë se vendimi nuk do të ndryshojë

Me çadrat që mezi përballonin erën dhe shiun, shumë qytetarë u mblodhën të enjten në stacionet e autobusëve në Podujevë, në pritje të një mjeti transporti për të udhëtuar drejt Prishtinës.

Greva e Shoqatës së Transportit të Podujevës, e nisur një ditë më parë, i detyroi qytetarët të gjenin alternativa të ndryshme.

“Çdo ditë shkoj në punë, por autobusët na thanë që janë në grevë, kështu që taksat janë shumë shtrenjtë. Problem për neve është shumë. Siç po e sheh edhe vetë, me shi e me borë na duhet me pritë qitu derisa të vjen dikush me na marrë”, ka thënë Arife Gashi, qytetare.

Transportuesit e Komunës së Podujevës janë futur në grevë pasi u është ndaluar të futeshin brenda qytetit të Prishtinës. Për këtë ata kanë qëndruar gjatë tërë natës e po ashtu edhe gjatë ditës së enjte me autobusët e parkuar para objektit të Komunës së Prishtinës, në shenjë proteste.

Ndonëse janë gjobitur nga Policia, kanë thënë se greva do të vazhdojë.

“Ka marrë vendim që mos me ardhë na në kryeqytet, por me u ndal atje në Bërnicë te një vendparking që nuk i plotëson kushtet as për me i dërgu kafshët se jo me i dërgu njerëzit, udhëtarët aty”, ka thënë Sadat Kurtolli, shofer i autobusit.

E sipas Mentor Mustafës, nënkryetar i shoqatës së transportit “Llapi”, ata nuk po kërkojnë diçka më shumë se që u takon me ligj.

“Na jemi duke kërkuar nga Komuna e Prishtinës vetëm çka na takon me ligj, që jena me licencë nga Ministria e Transportit. Kjo është në kundërshtim me ligjin. Çka ka bërë Komuna e Prishtinës nuk pajtohemi me të”, ka deklaruar Mustafa.

Nga Komuna e Prishtinës janë shprehur se vendimi synon të lehtësojë qarkullimin brenda qytetit dhe se nuk do të ndryshojë.

“Është një mision jashtëzakonisht shumë i vështirë me shliru, gjatësia e rrugëve në Prishtinë e zonës urbane është veç 80 km, nuk është gjatësi që mjafton për krejt këto vetura që hyjnë. Atëherë ne duhet me marrë vendime që prekin natyrisht edhe në biznesin e palëve të tjera, por mbi të gjitha vendimet që janë për të mirën e qytetarit të Prishtinës”, është shprehur Luftar Braha, këshilltar i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Transportuesit nga Podujeva reaguan edhe dy herë të tjera këtë vit ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës. Në janar ata protestuan për shtrirjen e “Trafikut Urban” në disa fshatra të Podujevës.