Disa kompani të transportit ndërurban nuk po e respektojnë marrëveshjen e arritur mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës dhe Shoqatës së Transportit Rrugor për uljen e çmimit të biletave. Ujdia ishte arritur pasi që çmimi i tyre ishte rritur si rrjedhojë e ngritjes së çmimit të naftës. Lidhur me mosrespektimin e marrëveshjes, ministria ka konfirmuar për KOHËN se inspektorët do të dalin në terren për të bërë monitorimin e linjave të transportit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se nga e hëna inspektorët e ministrisë do të përgjigjen në secilën ankesë dhe do të ndërmarrin masa.
Ai edhe një herë ka ripërsëritur se marrëveshja me këtë shoqatë është që çmimet të kthehen siç kanë qenë dhe të mos rriten edhe nëse do të ketë rritje të mëtejshme të çmimit të naftës dhe derivateve.
“Që nga nesër inspektorët e Ministrisë do të dalin në terren dhe do të monitorojnë linjat e transportit rrugor. Ata do të përgjigjen në secilën ankesë dhe do të ndërmarrin masa konform ligjit. Ne jemi dakorduar me Shoqatën e Transportit Rrugor që çmimet për këto kategori shoqërore të kthehen ashtu siç kanë qenë më herët dhe se nuk do të rriten edhe nëse do të kemi rritje të çmimit të naftës dhe derivateve të saj”, ka thënë Durmishi.
KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, por i njëjti ka thënë se nuk mund të përgjigjet sot.
Studentët që kanë paguar të dielën bileta prej 3,00 eurosh për udhëtim nga Prishtina në Suharekë, kanë treguar se para rritjes së çmimeve, udhëtimi në këtë linjë ishte 2.00 euro për këtë kategori dhe 2.50 euro për të rritur. Ngritje të çmimit qytetarët kanë raportuar edhe për linjën Klinë-Prishtinë.

Të premten, Durmishi pati njoftuar se pas takimeve me përfaqësues të shoqatave të transportit rrugorë, janë dakorduar që po në këtë ditë, më 18 mars, ta shfuqizojnë vendimin për përgjysmimin e pagesës së biletave për disa kategori shoqërore.
“Siç e dini kohëve të fundit ka ndodhur një rritje e çmimeve të produkteve, rrjedhimisht edhe kompanitë e transportit rrugor janë detyruar qe të rrisin çmimet e biletave. Ne si ministri patëm marrë një vendim për të mbrojtur disa kategori shoqërore. Pas disa diskutimeve, bashkë me shoqatat kemi ardhur në përfundim qe edhe duke marrë parasysh qe edhe ka rënë çmimi i derivateve të naftës, kemi arritur në marrëveshje të përbashkët që çmimet për kategori shoqërore të jenë ashtu si para rritjes së çmimeve”, qe deklaruar ai.
Ai në konferencë për media pati njoftuar se edhe padia e shoqatës së Transportit Rrugor për vendimin e ministrisë për përgjysmim çmimesh do të tërhiqet. Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ishte zotuar se nuk do të ketë rritje çmimesh.