Arbëri

Trajneri i futbollit angazhohet asistent për nxënësit me aftësi të kufizuara

Drejtoria e Arsimit ka punësuar në janar një trajner futbolli me inicialet M.M. si asistent në shkollën “Rilindja” në fshatin Dobroshec. Drejtori i Arsimit në komunë, Muhamet Gjoka, ka pranuar se punësimi i asistentit është bërë pa konkurs dhe pa kualifikim. Edhe pse ka pranuar se nuk ka kualifikim adekuat, i angazhuari ka thënë se është asistenti i duhur për nxënësin, pasi sipas tij, fëmija ka nevojë për aktivitete fizike

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka filluar hetimet nën dyshimin se zyrtarë në Drejtorinë e Arsimit në Drenas kanë punësuar një asistent për nxënësit me aftësi të kufizuara pa konkurs dhe pa kualifikim.

Drejtoria e Arsimit ka punësuar në janar një trajner futbolli me inicialet M.M. si asistent në shkollën “Rilindja” në fshatin Dobroshec.

Drejtori i Arsimit në komunë, Muhamet Gjoka, ka pranuar se punësimi i asistentit është bërë pa konkurs dhe pa kualifikim.

“Personi në fjalë është angazhuar nga Drejtoria e Arsimit për punë praktike bazuar në Ligjin e Punës, pra Drejtoria e Arsimit nuk nxjerr asnjë vendim pa bazë ligjore, kushdo që ka pretendime se ka pasur anashkalim, ka organe që e vërtetojnë, ne e kemi të bazuar, ligji është i qartë, decidivisht përmenden rastet kur mundet me u angazhu me specifika të rastit, me rekomandim psikologut dhe ka qenë zgjidhja e vetme për rastin”, ka thënë Gjoka.

Ligji i Punës, të cilit i referohet Gjoka, ka për qëllim të rregullojë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, por jo edhe kriteret për punësimin e një asistenti për nxënës me aftësi të kufizuara.

Angazhimi i asistentëve në shkolla për këtë kategori parashihet me Udhëzim Administrativ.

Aty specifikohet se asistenti për fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të ketë të përfunduar nivelin e pestë të trajnimit parësor.

Në shkollën “Rilindja” thonë se nxënësi për të cilin është angazhuar trajneri i futbollit është vështirë i menaxhueshëm.

“Meqenëse fëmija është i një kategorie pak më ndryshe se fëmijët e tjerë, ne kemi kërkuar nga DKA-ja që të angazhojë një asistent duke specifikuar, pa diskriminim gjinie, një asistent të moshës madhore dhe me kualifikim dhe patjetër me qenë i gjinisë mashkullore, pasi që menaxhimi nga mësuesja mbështetëse ka qenë i pamundur”, ka thënë Arsim Avdyli, drejtor në SHFMU “Rilindja”.

Avdyli ka thënë se asistenti nuk është paraqitur në shkollë gati një javë.

Trajneri i angazhuar si asistent, ka deklaruar për KOHËN se ka munguar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Edhe pse ka pranuar se nuk ka kualifikim adekuat, ai ka thënë se është asistenti i duhur për nxënësin, pasi sipas tij, fëmija ka nevojë për aktivitete fizike.

KOHA ka biseduar edhe me familjen e nxënësit. Nëna e tij ka thënë se prania e trajnerit ka pasur ndikim pozitiv te fëmija.