Fundin e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit e shohin në horizont aktivistë serbë të Kosovës e shqiptarë që veprojnë në Serbi. Sipas politikanes Rada Trajkoviq, Vuçiqi në përpjekje për ta larguar presionin nga protestat që po zhvillohen kundër tij, mund ta ashpërojë diskursin nacionalist, në dëm të dialogut me Kosovën
Protestat në Serbi tregojnë se presidenti Aleksandar Vuçiq e ka humbur mbështetjen dhe në përpjekje për ta përmirësuar pozicionin, do të mundohet që vëmendjen ta drejtojë kah Kosova e Kroacia, kanë thënë të shtunën politikanë dhe analistë serbë të Kosovës.
Aktivistja politike Rada Trajkoviq ka shprehur pritjen që situata politike në Serbi ta rëndojë edhe procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve.
“Mendoj se Vuçiqi e ka humbur mbështetjen e madhe në Serbi dhe kjo do t’i ngarkojë edhe më shumë negociatat me Kosovën, duke pasur parasysh se ai do të tentojë që ta kthejë ndikimin e tij me anë të retorikës nacionaliste. E kjo gjë do t’i ngarkojë edhe projektet tanimë të dakorduara në mes të Kosovës dhe Serbisë, që gjithsesi do të jetë në funksion të diçkaje që mendoj se në thelb do të ndikojë që bisedimet të jenë tepër komplekse”, ka thënë Trajkoviq.
Protestat kundër Vuçiqit janë masivizuar, dhe kanë filluan në qytetin e Novi Sadit para afro 2 muajsh, pas vdekjes së 15 personave nga shembja e kulmit të një stacioni treni.
Miodrag Miliçeviq drejtor i organizatës “Aktiv”, me bazë në Mitrovicën e Veriut, thotë se shoqëria në Serbi është shumë e polarizuar, mes atyre që janë pro Vuçiqit dhe atyre që janë kundër. Sipas tij, situatë e ngjashme është edhe te serbët e Kosovës, dhe si argument përmend edhe protestën e së premtes në veri.
“Dje e patëm një protestë në Mitrovicën e Veriut, është diçka që se kemi parë qe një kohë të gjatë, pra që iu bashkuan protestave që po mbahen në Serbi, të nisura nga studentët. Megjithatë, ishte një numër simbolik i pjesëmarrësve, por është shumë i rëndësishëm fakti se njerëzit po ndihen të lirë të shprehen, të protestojnë për ato çështje që i shqetësojnë. Me kalimin e kohës, do të shohim edhe më shumë njerëz që do jenë në pozitë që të dalin publikisht dhe të shprehen zëshëm dhe qartë, siç themi ne në serbisht”, ka thënë Miliçeviq.
Miliçeviq tha se protestat nuk do të ndalen dhe pret që Serbia të ketë zgjedhje të parakohshme, por jo nën rrethanat aktuale dhe jo nën kushtet e deritanishme të mbajtjes së zgjedhjeve.
E politikani shqiptar nga Bujanovci, Ragmi Mustafi, ka thënë se shqiptarët në Serbi nuk duhet të rrinë indiferentë, në mënyrë që regjimit të Vuçiqit t’i vijë fundi.
“Ngjarjet e fundit në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë janë alarm për të gjithë rajonin tonë. Si qytetarë të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj zhvillimeve që prekin jo vetëm Serbinë, por edhe të ardhmen tonë. Edhe pse nuk presim ndryshim të madh të qëndrimit për Luginën e Preshevës. Por hapi fillestar, fundi i regjimit të Vuçiqit e Mitroviqit”, ka thënë Mustafi.
Si kundërpërgjigje ndaj protestave, Vuçiq të premten organizoi një tubim në Jagodinë.