Ndërmarrja publike Hekurudhat e Kosovës “Trainkos” ka njoftuar të enjten se faqja zyrtare e saj po përballet me sulme të njëpasnjëshme kibernetike të jashtme.
Sipas një njoftimi në Facebook, ndërmarrja ka thënë se sulmet kanë ndikuar në funksionimin normal të sistemit online.
“Dëshirojmë t’ju informojmë se aktualisht faqja zyrtare e ndërmarrjes Trainkos po përballet me sulme të njëpasnjëshme kibernetike të jashtëme, i cili ka ndikuar në funksionimin normal të sistemit tonë online. Ekipi ynë i IT-së është duke punuar intensivisht për ta rikthyer faqen në funksion sa më parë që të jetë e mundur dhe për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe shërbimeve tona. Ju kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju sigurojmë se jemi duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar situatën”, bëhet e ditur në njoftim.
Sulme kibernetike ka raportuar të enjten edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Sipas njoftimit, uebfaqja e kësaj qendre po përballet me sulme kibernetike. Në njoftim ishte thënë se aktiviteti duket se ka për origjinë grupe kibernetike të lidhura me rrjetet ruse e serbe.
QKSS-ja merret me analiza dhe hulumtime në fushën e sigurisë në Kosovë.