“Trainkos” ka njoftuar se të martën, në stacionin hekurudhor të Hanit të Elezit, janë dëmtuar disa vagonë të saporiparuar të trenit.
Treni ishte duke qëndruar përkohësisht në stacion për shkak të mbylljes së linjës Hani i Elezit – Fushë-Kosovë. Vagonët ishin riparuar përmes një investimi publik prej 423 mijë euro, që ishin ndarë nga Ministria e Ekonomisë.
“Ndërmarrja Publike “Trainkos” Sh.A. njofton opinionin publik se sot, në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit, është evidentuar një akt i qëllimshëm dëmtimi i disa vagonëve të saporiparuar, të cilët qëndrojnë në këtë stacion përkohësisht për shkak të mbylljes së linjës Hani i Elezit – Fushë Kosovë. Vagonët në fjalë janë rikonstruktuar përmes një investimi publik në vlerë prej 423,000 euro, të ndara nga Ministria e Ekonomisë, dhe ende nuk janë vendosur në operim. Dëmtimi i tyre para përdorimit operacional paraqet një goditje të rëndë ndaj përpjekjeve për përmirësimin e transportit hekurudhor në Kosovë. Ky akt është një shembull i papërgjegjshmërisë dhe mungesës së ndërgjegjësimit qytetar për ruajtjen e pronës publike. Dëmtimi i aseteve të ndërmarrjes nuk cenon vetëm Trainkos-in si institucion, por gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët janë përfitues të drejtpërdrejtë të investimeve publike”, thuhet në reagimin e “Trainkos”.
“Trainkos” ka thënë se i ka informuar organet kompetente dhe po pret të ndërmirren masa ndaj personave që qëndrojnë prapa sulmit.