Arbëri

Tollovi për shërbime - Këshilli i Nxënësve kërkon ndërprerjen e grevës

Aparati digjital për dhënien e dokumenteve personale ka qenë më i kërkuari këtë të premte në Komunën e Prishtinës.

Si shkak i grevës në sektorin publik, shumë qytetarë të vetmin shërbim që kanë mundur ta marrin ka qenë ai nëpërmjet këtij aparati.

“Ku e di unë pse janë në grevë, ndoshta kanë arsye. Nëse nuk mundem sot, e nxjerri të hënën. Është e drejtë mu mbajtë greva. Në Qeveri i dinë ato punë”, tha qytetari Bajram Balaj.

“Unë kam ardhur të nxjerr tatim. Besoj që Albini do të na ndihmojë. Shumë keq që nuk mundem ta nxjerr tatimin se duhet të udhëtoj”, tha qytetari Ali Kadriu.

Në ditën e dytë të grevës, anëtarët e Këshillit grevist kanë qëndruar në Komunën e Lipjanit dhe Shtimes. Atje kanë vizituar një shkollë dhe një çerdhe.

Në këto takime, sipas një njoftimi të SBASHK-ut, është folur për, siç është thënë, “presionin dhe kërcënimet”, derisa kanë bërë të ditur se greva do të vazhdojë derisa të ketë një përgjigje nga Qeveria karshi kërkesave të SBASHK-ut.

Kundër grevës këtë të premte ka dalë Këshilli i Nxënësve të Kosovës, të cilët nëpërmjet një reagimi kanë thënë se kërkesat e SBASHK-ut do të duhej të adresoheshin në një formë tjetër, ku nuk do të pengohej procesi i rregullt mësimor.

“Greva, si mjet i përdorur për të arritur qëllimin, i dëmton më së shumti nxënësit, përfshirë edhe uljen e dëshirës e të vullnetit për të mësuar. Duke marrë parasysh edhe shkëputjen gjatë pushimeve verore, ndikimin e pandemisë në procesin mësimor gjatë këtyre viteve, nxënësit gjenden në pozitë jo të kënaqshme”, thuhet nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës.

Në këtë Këshill kanë kërkuar ndërprerjen e grevës .

Argjent Osmani, njohës i arsimit, thotë se Qeveria është dashur të bëjë zgjidhje qëmoti karshi kërkesave të grevistëve.

“Unë mendoj se Qeveria për një kohë shumë të gjatë nuk i ka trajtuar ka bërë manovrime të ndryshme për të mos gjetur asnjë lloj zgjidhje. Andaj jam i mendimit se që ky qëndrim tepër arrogant dhe i paparë në qeverisjen e deritanishme duhet të ndërrohet është i papranueshëm, ky gjest e ka irrituar tej mase publikun dhe do të ndikojë keq në frymën e vitit të rri shkollor, tha Osmani.

Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, greva duket të mos i ketë bërë shumë përshtypje. Ajo këtë të premte është takuar me drejtorët e shkollave profesionale me të cilët ka biseduar për fillimin e vitit të ri shkollor, derisa nuk e ka përmendur grevën e cila po zhvillohet në mbarë vendin.

Instituti Edguard të premten ka publikuar kalkulimet e pagave të mësimdhënësve, sipas ligjit të ri të pagave.

Sipas kësaj analize del do të ketë një rritje prej 15 % për të gjitha pozitat para universitarë. Po ashtu, paga më e vogël, sipas saj është 624 euro.

Janë rreth 22 mijë mësimdhënës të cilët po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro që i bie se qeverisë do të duhet t’i ndajë mbi 2 milion euro në muaj për këto pagesa.