Ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka reaguar pas akuzave mes partisë në pushtet dhe opozitës lidhur me platformën për digjitalizimin e arsimit që s'ishte bërë asnjëherë.
Pasi zëvendësministri Taulant Kelmendi akuzoi ish-ministren e Arsimit, Hykmete Bajramin, se ka "avulluar" projektin 5.6 milionësh për këtë platformë, Thaçi ka shkruar në Facebook se Bajrami e kishte denoncuar mosrealizimin e projektit.
Ai ka thënë se me Bajramin ishin alarmuar për një pjesë të këtij projekti, duke shtuar se kishin njoftuar Qeverinë, duke bërë që të ndalej procedura e miratimit të pjesës së dytë që kapte shifrën e rreth 4 milionë eurove.
“Pavarësisht pse nuk kemi arritur ta gjejmë dosjen e dokumentacionit të projektit, bazuar në faktin që platforma E-edukimi ka qenë në domain shtetëror (.rks-gov.net), i kemi kërkuar kompanisë që të na sigurojë qasje në administrimin e platformës, në mënyrë që të shohim a mund të përdoret platforma për nevoja të ofrimit të mësimit në distancë. Këto kredenciale kemi kërkuar që t’i dorëzohen (U.D.) Sekretarit të Përgjithshëm të MASHTI-t. Këtë e dëshmon edhe dokumenti i datës 18 mars 2020, i publikuar sot në media. Dokumenti është dëshmi e pranim-dorëzimit të kredecialeve për administrimin e platformës e-edukimi.rks-gov.net. Qartazi dokumenti nuk ka lidhje me pranim-dorëzimin e projektit si projekt në tërësi, sepse pranim-dorëzimi i projektit ka rregulla e procedura krejt tjera. Pas analizës së platformës, e kemi parë që ajo është një platformë koti që nuk ndihmon për asgjë, pavarësisht pse për të janë harxhuar mbi 5 milionë euro”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka shtuar se procedura e pjesës së dytë ishte në proces, por ishte ndaluar pas reagimit të tyre.
“Për të mos u mjaftuar me kaq, i njëjti projekt e ka pasur edhe “pjesën e dytë” me kosto rreth 4-5 milionë euro (nuk më kujtohet shuma e saktë). Edhe pjesa e dytë e projektit ka qenë në procedurë e sipër të miratimit përmes procedurës së “marrëveshjes ndërkombëtare” (gati në fazat e fundit nga qeveria/të paraprake). Të alarmuar se çfarë ka ndodh me pjesën e parë të këtij projekti, unë dhe Ministrja Hykmete Bajrami e kemi informuar Ministrin e Financave Besnik Bislimi (sepse me sa e di unë procedura veçse ka qenë në këtë ministri nga qeveria/të paraprake) dhe Kryeministrin Kurti në lidhje me këtë projekt dhe si pasojë e kësaj është ndalur procedura e miratimit të pjesës së dytë të projektit dhe kësisoj buxhetit të MASHTI-t i janë kursyer ato 4-5 milionë euro”, ka shtuar ai.
Zëvendësministri i tanishëm i Arsimit, Taulant Kelmendi, e ka akuzuar Bajramin për zhdukjen e 5.6 milionë eurove për një platformë të parealizuar, derisa Bajrami ka shpërndarë sqarimin e Thaçit.