(12:40) - Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është larguar nga EULEX-i në drejtim të Aeroportit të Prishtinës, për vazhduar drejt Hagës, ku po vazhdon paraburgimin në Gjykatën Speciale.
Thaçi u largua nga ambientet e EULEX-it nën duartrokitjet dhe brohoritjet e mbështetësve të tij që ishin mbledhur aty si shenjë proteste.
Ai po dërgohet nën mbikëqyrjen e madhe të njësisë speciale dhe mbrojtjes së Speciales.
Thaci gjatë ditës është takuar në EULEX me bashkëshorten dhe vëllezërit e tij, të cilët thanë se është mirë me shëndet, derisa bën të ditur që e kanë të ndaluar të flasin më gjatë. Kjo është hera e parë që Thaçi qëndrojë kaq gjatë në Kosovë, që nga paraburgimi i tij në vitin 2020.
Thaçi dje ka qëndruar në vendlindje në Burojë të Skenderajt, ku ka bërë homazhe të varri i babait të tij, si dhe ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij, ku është takuar me nënën dhe bashkëshorten e tij. Ai më pas është dërguar në zyret e EULEX-it në Prishtinë.
Gjykata Speciale nuk i dha leje Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të martën më 18 mars.
Ndaj ish-presidentit e ish-kryeministrit të Kosovës, Specialja ka ngritur dy aktakuza, për krime lufte dhe për ndikim te dëshmitarët.
Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. /KP
Thaçi në zyrën e EULEX-it takohet me familjarët
(09:50) - Ish-presidenti Hashim Thaçi po qëndron në zyrat e EULEX-it në Kosovë gjatë ditës së sotme, ku po vizitohet nga familjarët, raporton RTK.
Thaçi u lejua dje nga Gjykata Speciale ta vizitojë varrin e babait, Haxhi Thaçi, i cili u varros të martën.
Disa të rinj nga Rinia Demokratike janë mbledhur para zyrës së EULEX-it dhe po mbajnë pankarta të ndryshme në duar. Nuk mungojnë as flamujt e UÇK-së. "Drejtësi, jo politikë", shkruhet në pankartat e tyre.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kishin refuzuar kërkesën e Thaçit për pjesëmarrje në varrim. Refuzimi i Speciales ka nxitur reagime të mëdha. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që të mos shkelen të drejtat e të akuzuarve e kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar se me këtë, Specialja ka humbur rrugën e saj.
Thaçi e takoi babanë për herë të fundit më 13 mars, kur i bëri vizitë në QKUK.
Ndaj ish-presidentit e ish-kryeministrit të Kosovës, Specialja ka ngritur dy aktakuza, për krime lufte dhe për ndikim te dëshmitarët.