Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka deklaruar se tash e 10 vjet është paraqitur kërkesa për shtim të inspektorëve, por një gjë e tillë nuk po ndodh.
Megjithatë, ai ka thënë se kanë marrë premtime që shumë shpejt do të lejohen të rekrutojnë staf të ri, në mënyrë që të kenë kapacitete të mjaftueshme për të kryer inspektimet në terren.
“Mungesën e inspektorëve e kemi paraqitur në të gjitha instancat shtetërore. Ka më shumë se 10 vjet që paraqesim nevojën e shtimit të inspektorëve sepse janë inspektime të domosdoshme që duhet kryer në terren. Kemi marrë gjithmonë premtime që shpejt do të na u lejohet të rekrutojmë staf të ri dhe të kemi kapacitete të mjaftueshme që më pas karshi publikut, qytetarëve, konsumatorëve të mos ankohemi për mungesë të kapaciteteve, por të dëshmojmë kontrolle”, ka thënë ai të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka shtuar se ndonëse nuk është raportuar asnjë incident kolektiv i helmimeve brenda vitit, ky institucion duhet të jetë gjithmonë i përgatitur dhe të ketë kapacitete aktive.
Derisa ka folur për asgjësimet e produkteve të skaduara apo të dëmtuara, ai ka thënë se disa prej statistikave të asgjësimeve janë lajmëruar vetë nga operatorët ekonomikë, sepse “ata janë të njoftuar dhe secili prej tyre e di procedurën në rastet kur nuk e lajmëron një produkt të skaduar apo të dëmtuar, pasi që përveç asgjësimit të mallit, ai ndiqet penalisht nga organet e drejtësisë dhe janë të obliguar që mbi çdo dyshim ta njoftojnë autoritetin”.