Megjithëse pritet që numri i inspektorëve të arsimit së shpejti të rritet për 13, Ministria e Arsimit nuk ka bërë investime në krijimin e hapësirave të punës dhe në ofrimin e mjeteve logjistike për inspektorët. Buxheti prej 40 mijë eurosh i vitit të shkuar, i cili është i destinuar për blerjen e veturave dhe për rregullimin e hapësirave të punës për inspektorët, nuk është shfrytëzuar as edhe një cent nga Ministria e Arsimit
Njëzetegjashtë inspektorë të arsimit sa janë për shtatë regjionet e Kosovës, funksionojnë me tetë vetura. Këtij institucioni pritet që së shpejti t’u shtohen edhe 13 inspektorë të rinj, të cilët e kanë kaluar procesin e testimit me shkrim dhe atë të intervistës, në kuadër të konkursit të fundit të hapur nga Ministria e Arsimit (MASHTI).
Por përderisa pritet që numri i inspektorëve të rritet, kushtet e punës për ta mbesin të njëjta. Buxheti i vitit 2023 në vlerë prej 40 mijë eurosh, i destinuar për blerje të veturave dhe për rregullimin e hapësirave të punës për inspektorët e arsimit, nuk është shfrytëzuar as edhe një cent nga Ministria e Arsimit, e cila që dy vjet ka blerë vetëm një veturë.
“Inspektorati i Arsimit ka në dispozicion 8 vetura, prej tyre nga një është për secilin sektor, si dhe 1 është për Zyrën e drejtorit. Që nga viti 2022, Inspektorati i Arsimit ka blerë 1 veturë. Inspektorati i Arsimit e ka Zyrën e drejtorit, e cila është në objektin e MASHTI-t, si dhe zyrat e SIA-ve të cilat janë të vendosura në objekte të ndryshme të komunave kryesore të shtatë rajoneve përkatëse”, kanë thënë nga MASHTI në një përgjigje për KOHËN.
Në këtë ministri nuk kanë treguar nëse planifikohet që buxhetin e paraparë ta shpenzojnë këtë vit. Por bazuar në të dhënat publike të Prokurimit Publik, deri më tani nuk është hapur ndonjë tender për blerjen e veturave për Inspektoratin e Arsimit teksa janë hapur dy tenderë për renovimin e zyrave të inspektorëve në Gjilan dhe në Prizren.
E, një raport i Komisionit Parlamentar të Arsimit, para dy vjetësh e pati theksuar nevojën për rritjen e hapësirave të punës në të gjitha regjionet dhe për blerjen e veturave të reja në mënyrë që të rritet edhe numri i inspektimeve në institucionet arsimore.
Visar Osmani, drejtori në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, ka thënë se vizita e inspektorëve është jetike për ngritjen e cilësisë në institucionin që ai e udhëheq.
“Roli i inspektorëve është jetik në mbarëvajtjen e përgjithshme të punës së institucioneve edukativo-arsimore, e dimë prej praktikave tona në shkollë që gjithmonë roli i tyre ka qenë vëzhgues dhe falë ndihmës së tyre dhe angazhimit të tyre institucionet gjithmonë kanë dalë më mirë. Ka shumë shkolla që kohëve të fundit i janë nënshtruar vlerësimit të jashtëm dhe falë punës profesionale të inspektorëve, institucionet kanë reflektuar dhe kanë dalë më mirë edhe në komunitet”, ka thënë ai.
Inspektorati i Arsimit është organ ekzekutiv qendror për sigurimin e cilësisë, në varësi të drejtpërdrejtë të MASHTI-t. Inspektorati ka funksion vlerësues, kontrollues, këshillues, informues dhe mbështetës për institucionet arsimore. Ky institucion ka për detyrë që të bëjë inspektime të përgjithshme, tematike dhe emergjente nëpër shkolla.