Tetë persona janë arrestuar të premten pasi dogjën flamurin e Maqedonisë së Veriut në Shkup gjatë festimeve për Ditën e Flamurit, ka njoftuar Ministria e Brendshme. Rasti nxiti reagime të mëdha në spektrin politik të Maqedonisë.
Incidenti ndodhi në lagjen Bit Pazar të komunës së Çairit në Shkup, gjatë kremtimeve me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka thënë se në mesin e të arrestuarve është një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç. Katër prej tyre dyshohen për veprën “nxitje e urrejtjes ndëretnike, racore dhe fetare, dhe grindje e mosdurim”, e dënueshme deri në një vit heqje lirie.
VMRO-DPMNE në pushtet bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë, ndërsa vlerësoi se, siç thuhet, ngjarja ka prapavijë politike dhe kishte për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe tensioneve etnike.
Lidhja Social Demokrate në opozitë, akuzoi pushtetin dhe ministrin e Rendit, Pançe Toshkovski për “mungesën e veprimeve për parandalim, kontroll dhe të ndërhyrjes së shpejtë për pengimin e incidenteve”, ndërsa kërkoi dorëheqjen e tij.
Edhe koalicioni VLEN i partive shqiptare, që është pjesë e qeverisë, e dënoi incidentin ndërsa akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se në këtë mënyrë po përpiqet “ta destabilizojë vendin”.
Ndërkohë partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, duke e dënuar rastin, kujtuan një incident të djegies së flamurit shqiptar dhe shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente”.
Sipas BDI-së, policia nxiti incidentin duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festën e mbrëmshme në sheshin Skënderbe të Shkupit. /VOA