Arbëri

8 ukrainaset e diplomuara në Kosovë, kthehen në Ukrainë për deminim

Shtetaset ukrainase mbarojne kursin per deminim

Tetë ukrainaset që janë trajnuar qe katër javë në qendrën e MAT Kosovës në Pejë për deminim, kanë përfunduar programin e tyre, ka njoftuar faqja zyrtare e qendrës trajnuese në Facebook.

“Kursi i ndjekur nga gratë ukrainase - është i pari jashtë Ukrainës prejse Federata Ruse pushtoi Ukrainën – ka përfunduar me të gjitha tetë kursantet e duiplomuara”, pas katër javësh të trajnimit intensiv, shkruan MAT Kosova.

Trajnimi është munduar nga donacionet e Fondacionit Sir Bobby Charlton, bashkë me Lou McGrathin dhe ekipin e tij, “Ravenscroftit” dhe “The Landmine Relief Fund”. Falënderime të veçanta janë shprehur për Ulianën dhe Julian që kanë ndihmuar në organizim dhe përkthim të materialeve dhe ligjëratave në gjuhën ukrainase.

Historinë e organizatës që trajnon deminues nga më shumë se shtatëdhjetë shtete të botës në Pejë, përfshirë edhe atë të ukrainaseve, mund ta ndiqni të dielën prej orës 18:10 në emisionin Cosmo në KTV. Ndërkaq reportazhin e një dite të punës në qendrën trajnuese mund ta lexoni të dielën mbrëma në portalin koha.net dhe të hënën në faqet e “Kohës Ditore”.

“Ishte emocionuese, por edhe kënaqësi – fat dhe mbarësi zonjave, një grup frymëzues njerëzish në rolin e tyre që i pret për ta bërë Ukrainën vend më të sigurt për të gjithë”, thuhet në fund të njoftimit.

Ukraina po përballet me rrezikun e shpërthimit të mjeteve të bombave dhe artilerisë së rëndë të pashpërthyera pas sulmeve ajrore e tërheqjes tokësore të ushtrisë ruse nga veriu i vendit dhe përqendrimit të luftimeve në rajonin lindor të Donbasit.