Testet nëpërmjet të cilave zbulohet varianti i ri i COVID-19, Omicron, pritet të arrijnë sot në Kosovë dhe testimet për konfirmimin e këtij varianti shumë shpejt do të kryhen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e IKSHPK-së, Era Pireva.
Se kur do të mbërrijnë në IKSHPK, sipas saj, varet nga procedura e zhdoganimit.
“Varianti Omicron i SARS-CoV-2 mund të detektohet edhe me RT PCR test që në mënyre specifike e shënjon (targeton) ndonjë nga mutacionet e S proteinës së SARS-CoV-2. RT PCR kitet e këtilla të porositura nga IKSHPK priten te arrijnë në Aeroportin e Prishtinës me datën 23.12.2021 dhe varet nga procedurat e zhdoganimit se sa shpejt do të arrijnë në IKSHPK, kështu që shumë shpejt do të kryhet konfirmimi i variantit Omicron te SARS-CoV-2 në IKSHPK”, ka thënë Pireva për KOHËN.
Sipas saj, aktualisht me testet në dispozicion, detektohen tri gjene (caqe) të SARS-CoV-2: S, N dhe ORF.
“Deri në këtë moment të gjitha mostrat që rezultojnë pozitive në IKSHPK kanë amplifikim të tri gjeneve, përfshire edhe S gjenin. Ne momentin e parë kur do të vërejmë në laborator që një mostër ka rezultuar pozitive vetëm në gjenet N dhe ORF dhe mungon lakorja e S gjenit, do te na jep indikacion që ajo mostër mund të jetë me variantin Omicron”, ka shtuar Pireva.
Ndërkohë, IKSHPK-ja ka dërguar mostra pozitive për COVID në Gjermani për të konfirmuar praninë ose jo të variantit Omicron. Kosova është në pritje të këtyre rezultateve.
“Shumë shpejt do të kryhet konfirmimi i variantit Omicron të Sars CoV-2 në IKSHPK”, ka thënë Pireva.
Varianti Omicron, fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut gjatë muajit nëntor.
Sot, dy raste pozitive me këtë variant u regjistruan edhe në Shqipëri.