Arbëri

Tërnava uron besimtarët myslimanë për fillimin e Ramazanit

Naim Tërnava

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit. 

Ai u ka bërë thirrje besimtarëve myslimanë që ta ruajnë unitetin, të mos përçahen e të bashkëpunojnë në mirësi. 

“Me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar, këshilloj vëllezërit dhe motrat e mi kudo që janë që të kenë frikë nga Zoti i madhëruar, të garojnë në vepra të mira, të urdhërojnë njëri-tjetrin për të bërë mirë, të jenë të durueshëm, ta ruajnë unitetin e të mos përçahen, të bashkëpunojnë në mirësi, urtësi dhe devotshmëri, si dhe të ruhen nga të gjitha ato mëkate që Zoti i ka ndaluar”, ka shkruar Tërnava.

Ai ka shkruar se “Ramazani është një muaj madhështor, muaj në të cilin shumëfishohen veprat e mira dhe falen mëkatet për ata që agjërojnë dhe falin namazin me besim dhe devotshmëri, duke kërkuar kështu shpërblimin për punët e tyre”.

Tërnava ka shkruar agjërimi ka shumë dobi dhe urtësi. 

“Duke e bërë agjërimin në formën më të mirë, besimtari e fisnikëron moralin, durimin, bujarinë dhe përpjekjet në atë që e kënaq Zotin”, ka shkruar Tërnava. 

Muaji i Ramazanit këtë vit nis më 1 mars dhe përfundon më 29 mars. 

Gjatë Muajit të Ramazanit besimtarët myslimanë agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. 

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame.