Arbëri

“Termokosi” ua faturon qytetarëve edhe “ngrohjen” e korridoreve që nuk kanë radiatorë

Qytetarë të Prishtinës kanë pranuar fatura më të larta për ngrohje dhe disa prej tyre tashmë kanë denoncuar njërën nga hilet e “Termokosit”. Kjo ndërmarrje ua ka përshkruar atyre si kosto shtesë edhe “ngrohjen” e korridoreve në banesat kolektive, ndonëse ato nuk kanë radiatorë. Në “Termokos” thanë se metodologjia për caktimin e çmimit është përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë

Në korridoret brenda një objekti të banimit kolektiv në lagjen “Emshir”, nuk ka radiatorë. Por banorët e tij thonë se ndërmarrja publike “Termokos” ua ka faturuar edhe ngrohjen për hapësirën e përbashkët, krahas asaj brenda banesës.

Idriz Grajçevci thotë se të gjithë banorët shpresuan për llogaritje të drejtë të shpenzimeve, pasi faturimi paushall u zëvendësua me atë që regjistrohet nga pajisjet “HeatSave” që u vendosën në radiatorë. Por, në kosto u përfshi edhe ngrohja që s’e kanë.

“Në këtë muaj mua më ka ardhur pagesa diku 25 për qind më shumë se muajin e kaluar. Unë nuk kam qenë personalisht, kanë qenë banorë tjerë, kanë bërë pyetje, arsyen pse. Kanë thënë që është hapësira e përbashkët. Unë nuk di hapësirë të përbashkët në korridor e nuk shoh, s’ka radiatorë, s’ka kurrgjë”, ka deklaruar Grajçevci, banor i lagjes “Emshir” në Prishtinë.

Edhe Fuat Vehapi thotë se ka shkaktuar shqetësim te banorët në lagje, kostoja për hapësirën e përbashkët e në të cilën nuk ka fare ngrohje.

“Pikërisht tek unë në banesën time më ka ardhur diku rreth 12 euro më shumë faturim i hapësirës së përbashkët që është e padrejtë për mua edhe nuk është reale, sepse hapësirat e përbashkëta s’kanë ngrohje. Ne si banorë jemi të dëmtuar me këto faturime, se nuk janë faturime qysh duhet me i bë”, ka thënë Vehapi.

Vehapi thotë se banorët janë ankuar në “Termokos”, por situata nuk ka ndryshuar.

“Përgjigje nuk ka ende dhe nuk e dimë çka është ka bëhet. Po shqyrtimi i tyre nuk e di a është bo a s’është bo. Ka një muaj, ose qe dy muajt e fundit ky problem është”, ka bërë të ditur ai.

E në “Termokos” thanë se metodologjia për caktimin e kostos është përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe se për hapësirën e përbashkët duhet paguar edhe nëse nuk ka radiatorë në korridore, por nëpër to kalojnë gypat.

“Konsumi i përbashkët paraqet sasinë e energjisë ngrohëse të pamatur nga matësit individualë të nxehtësisë, por përfshihet në faturë sipas metodologjisë së ZRRE-së. Kjo energji shpërndahet përmes sistemeve të ngrohjes, që kalojnë nëpër ndërtesa (gypa, pllaka ndarëse, etj.)”, thuhet në përgjigjen e “Termokosit”.

ZRRE-ja nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve të KOHËS, përkitazi me formulën për faturimin për ngrohje.

Në muajin nëntor, ZRRE-ja ka miratuar tarifat e konsumit për “Termokosin” për sezonin e ngrohjes 2024-2025, por në vendim figuron çmimi i njëjtë me atë të vitit t2023: për konsumatorët shtëpiakë 0.76 centë për kilovat orë, ndërsa për konsumatorët komercialë 0.95 centë për kilovat orë.

Aktualisht rreth 30 mijë qytetarë sigurojnë ngrohjen nëpërmjet “Termokosit”.