Arbëri

“Termokosi” sivjet bën faturimin në bazë të konsumit, pret mbi 10 milionë euro të hyra

Termokos

Termokos

Ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” do ta fillojë sezonin e ri me një epokë të re të matjes se energjisë termike, pasi nga tetori i këtij viti, afër 17 mijë njësi banimi do të faturohen në bazë të konsumit.

Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryeshefi Ekzekutiv i “Termokos”, Fisnik Osmani, i cili ka theksuar se për këtë vit presin që të kenë të hyra mbi 10 milionë euro.

Osmani ka thënë se pjesa më e madhe e njësive të banimit janë pajisur me matës, por që janë duke punuar që brenda dy vjetëve të ardhshme të bëhet mbulushmëria 100 për qind e konsumatorëve.

“Sezona në të cilën po hymë është sezona të themi kritike për ngrohtoren, jo kritike në aspektin negativ, mirëpo kritike në aspektin e përgatitjeve të cila ne duhet t’i bëjmë që të kemi një fillim të mbarë të faturimit me konsum. Deri tani, ngrohtorja ka faturuar në bazë të metrave katrorë dhe nga ky vit do të filloj ndryshimin e faturimit ose ndryshimin e metodologjisë së matjes. Siç e dini, ne përgjatë këtyre 20 muajsh kemi zhvilluar projektin e instalimeve të matësve të energjisë, alukatorëve dhe matësve të ngrohjes. Kjo është zhvilluar në bazë të projektit në 17 mijë e 500 njësi të banimit, prej të cilave më tepër se 16 mijë e 500 janë aktive dhe mund të startojmë këtë vit me këtë matje”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka thënë se me këtë metodë presin që të kenë reduktime të shpenzimeve të ngrohtores.

“Ajo çka unë do t’i kisha lutur qytetarët e Prishtinës është që ta mirëkuptojnë menaxhmentin e ngrohtores për shkak se po fillojmë një proces të ri i cili po behet për herë të parë në Kosovë, natyrisht edhe mund të ketë problem teknike, mund të ketë paqartësi për të cilat ne jemi kujdesur që t’i zgjidhim”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se “Termokosi” në shtatë muajt e këtij viti ka pasur inkasim 22 për qind më tepër se sa në periudhën e njëjte të vitit paraprak.

Osmani ka shtuar se presin që brenda këtij viti të kenë mbi 10 milionë euro të hyra, që sipas tij, janë të mjaftueshme për operim normal të ngrohtores, por janë të pa mjaftueshëm për investim në projekte kapitale.

Sa i përket borxheve, ai ka thënë se “Termokosit” ka punuar shumë në ketë periudhë që t’i mbledhë ato, por pavarësisht kësaj, janë mbi 18 milionë euro borxhe që qytetaret kanë ndaj saj./EkonomiaOnline