Arbëri

“Tërmet” në Akademi

Pasi ka nxitur reagime në publik përmbajtja e një shkrimi të gjatë në uebfaqen e ASHAK-ut, një nga katër seksionet e Akademisë, ai i Shkencave Shoqërore, të premten është distancuar nga teksti dhe ka theksuar se shkrimi është i kryeakademikut Mehmet Kraja dhe jo i Akademisë. Akademiku Muhamedin Kullashi e ka quajtur publikimin një pamflet dhe artikull të dobët joshkencor dhe e ka akuzuar Krajën për keqpërdorim të funksionit. E, kryeakademiku ka thënë se për përmbajtjen ka marrë mbështetje në Kryesi të ASHAK-ut, por është përgënjeshtruar nga sekretari shkencor i Akademisë, Luan Mulliqi

Ka shkaktuar përplasje në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) autorësia mbi shkrimin “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Pasi përmbajtja ka nxitur reagim në publik, një nga katër seksionet e ASHAK-ut, ai i Shkencave Shoqërore, të premten është distancuar nga teksti dhe ka theksuar se shkrimi është i kryeakademikut Mehmet Kraja dhe jo i Akademisë. Ndërkaq, akademiku Muhamedin Kullashi e ka quajtur pamflet dhe artikull të dobët joshkencor dhe e akuzoi Krajën për keqpërdorim të funksionit. Kraja ka thënë se për përmbajtjen ka marrë mbështetje në Kryesi të Akademisë, por është përgënjeshtruar nga sekretari shkencor i ASHAK-ut, Luan Mulliqi.

Shkrimi që Kraja në fillimvit ua ka përcjellë seksioneve për miratim, është publikuar ditë më parë në uebfaqen e ASHAK-ut dhe është paraqitur si “analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend përshkallëzimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar”.

Dokumenti përmban akuza e qëndrime për personalitete politike të Kosovës e për vende si Shqipëria dhe jep interpretime për një numër ngjarjesh historike. Ndaj përmbajtjes ka pasur shumë reagime.

Në reagimin e Seksionit të Shkencave Shoqërore thuhet se ky seksion e ka kundërshtuar që në fillim publikimin e tekstit në emër të Akademisë. Ka akuzuar Krajën për sjellje imponuese e arbitrare dhe në reagim ka theksuar se kundërshtimi i tij shihet nga procesverbali i mbledhjes së datës 26 janar 2022.

“Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen kryetarit të ASHAK-ut, z. Mehmet Kraja, për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”, thuhet në reagimin dërguar mediave të premten, pas mbledhjes së seksionit.

Ky seksion ka kërkuar “reflektim institucional e moral” nga Kraja për “dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë”.

“Nëse z. Kraja nuk reflekton karshi përgjegjësisë institucionale dhe morale, Seksioni i Shkencave Shoqërore do të iniciojë veprime të tjera statutore”, thuhet në reagim të këtij seksioni.

Ndërkaq akademiku Muhamedin Kullashi e ka quajtur pamflet dhe artikull të dobët joshkencor publikimin e Krajës. Në një intervistë në emisionin DESKU të KTV-së, e cila do të transmetohet më vonë, Kullashi ka theksuar se Kraja ka dashur që opinionin e tij mbi ngjarjet ta fshehë prapa logos së Akademisë. Ai e akuzoi kryeakademikun për keqpërdorim të funksionit.

“S’ka të bëjë me Akademinë dhe përdorimi i emrit ASHAK është keqpërdorim”, ka thënë akademiku Kullashi. “Është vetëm kryetari që ka nënshkruar tekstin dhe ka dashur të fshihet prapa Akademisë, ta keqpërdorë emrin e Akademisë. Është një autor aty. Është përvojë jo e mirë dhe jemi deklaruar lidhur me këtë edhe tash, por edhe atëherë në fillim të vitit se si është ofruar. Ne ishim të qartë: s’kemi pse ta nënshkruajmë, shkruaje vetë dhe le ta vlerësojë publiku”.

Kullashi ka thënë se shkrimi i Krajës është artikull i sipërfaqshëm dhe i dobët.

“S’është artikull shkencor, është rrëfim që e ka bërë, në stilin që e ka”, ka thënë ai.

E, pas reagimeve brenda institucionit që e drejton, ka reaguar Kraja.

Në llogarinë e tij në Facebook ai ka shkruar se më 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë ishte diskutuar teksti dhe se ka marrë mbështetje. Ai ka publikuar ato që ka thënë se ishin qëndrimet e anëtarëve të Kryesisë.

“1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime; 2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë; 3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj; 4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë; 7. Mehmet Kraja, kryetar, e mbështet analizën dhe publikimin e saj”, ka shkruar Kraja.

Sipas kryeakademikut, teksti i analizës u është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve. Nga 38 anëtarët, sipas tij, përgjigje me shkrim kanë ofruar vetëm dy anëtarë, Isa Mustafa dhe Arsim Bajrami.

Por sekretari shkencor i ASHAK-ut, Luan Mulliqi, i ka mohuar pretendimet e Krajës.

“Nuk është e vërtetë që ai tekst ka marrë miratimin e Kryesisë për t’u publikuar. Përkundrazi, është kundërshtuar. Është e vërtetë që sjelljet e Krajës janë imponuese dhe arbitrare, me theks të veçantë të arrogancës”, ka thënë Mulliqi për KOHËN.

Ndërkaq, Kraja ka pranuar se në uebfaqen e Akademisë “mund të jetë shfaqur versioni i paredaktuar i tekstit”. Për këtë ka thënë se mund të jetë bërë për ndonjë arsye teknike dhe ka theksuar se tani në uebfaqe është versioni i autorizuar. Ai ka thënë se merr përgjegjësinë për shkrimin.

“Edhe përkundër konsensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në uebfaqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”, ka shkruar Kraja.

Në reagimet paraprake, Kraja pati thënë se shkrimi është analizë e përgjithshme e Akademisë, i cili synon t’ia tërheqë vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, janë bërë më agresive dhe destabilizuese për rajonin, duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Në një reagim të dytë pati deklaruar se publikimit së fundmi po i bëhen citime të shtrembëruara dhe manipuluese.

Reagimet Kraja i ka kualifikuar si fushatë kundër tij.

Reagimet më të mëdha i ka nxitur akuza kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, në njërin prej versioneve të publikuara në uebfaqen e ASHAK-ut.

“Hashim Thaçi, herë si kryeministër dhe herë si president, futi në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, qoftë duke bërë marrëveshje të fshehta me Serbinë, qoftë duke pretenduar një amnisti si ‘mirënjohje botërore’, për arritjet e tij në promovimin e paqes midis dy popujve”, ka shkruar në të. “Pra, pasi u kuptua se Thaçi mund të ishte objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket e emisarëve ‘diplomatikë’, të cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi të jashtëzakonshme në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Impenjimin e madh të Thaçit dhe natyrën e tij autokratike të sundimit në Kosovë, disa kancelari diplomatike perëndimore e panë si ‘mundësi të artë’ për një zgjidhje të shpejtë të ‘çështjes së Kosovës’, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje idesë së tij, duke përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje, qoftë edhe përmes ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim një zgjidhje të tillë”.

Në versionin e edituar, është hequr kjo pjesë.

E, edhe në versionin që është në faqe, ka një akuzë për Shqipërinë. Në të thuhet se politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e Kosovës për pragmatizmin e politik të shtetit shqiptar.

“Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm ekstrem, si lidhje klanesh, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje më e ngushtë botëkuptimore me Serbinë dhe me proveniencën lindore”, thuhet në këtë punim. “Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga këto marrëdhënie, po të mos ishte problemi i Kosovës, do të ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e turizmit dhe të transportit. Prandaj që 20 vjet e këndej, çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të vjetruar nacionaliste”.

Kraja, në një reagim, ka folur për versionet e ndryshme dhe ka thënë se e merr autorësinë mbi të fundit version të publikuar në uebfaqen e ASHAK-ut.

“Gjatë publikimit në uebfaqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar”, ka shkruar ai. “Në fund, edhe përkundër konsensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit të analizës në uebfaqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”.