Përpara se deputetët t’i kenë në tryezë ndryshimet ligjore për zgjedhjet, do të dihet nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme ose nëse Kosova do ta ketë të zgjedhur presidentin
Seanca për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, e paralajmëruar për të premten, është shtyrë për të shtunën, pas tensionimit të shkaktuar nga procedimi i propozimeve për ndryshim të Ligjit të zgjedhjeve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Në fund të ditës, Kuvendi nuk u pajtua që ndryshimet e propozuara të kalohen në procedurë të përshpejtuar, ndërkohë që drama politike tensionoi raportet e Qeverisë me opozitën.
Partitë opozitare e kanë cilësuar procedimin e Ligjit si kërcënim dhe shantazh, ndërsa Lidhja Demokratike (LDK) ka paralajmëruar se pajtimi i saj për pjesëmarrje në zgjedhjen e presidentes nuk vlen nëse kryeministri Kurti nuk e tërheq.
E premtja i lëshoi udhë të shtunës pa u qartësuar se kur dhe si do të vihet në rend dite zgjedhja e Vjosa Osmanit për president, për kandidimin e së cilës tashmë janë mbledhur nënshkrimet, por nuk duket se ka kuorum.

Fillimi në paqe
Pushtet e opozitë u treguan unikë në fillim të ditës së premte. Që nga java e shkuar ishin bërë përgatitjet që në këtë paradite të organizohej seanca e parë plenare e legjislaturës së tetë, ku do të formoheshin komisionet parlamentare.
Të dyja kampet politike votuan pa zhurmë për komisionet dhe anëtarët e tyre, ani se në hyrje të seancës pati një mori kritikash nga deputetët opozitarë në adresë të kryeministrit dhe disa ministrave.
Gjithçka pastaj ishte përplasje.
Tensioni nisi në seancën për komisionet. Ndonëse në ditën e 11 të mandatit, kryeministri Albin Kurti aty kërcënoi opozitën me zgjedhje të reja, në rast se ajo nuk mundëson kuorumin për ta zgjedhur Vjosa Osmanin shefe të shtetit.
“Njëherë do ta zgjedhim presidenten”, tha ai, tek iu përgjigj disa kritikave të deputetëve. “Është e domosdoshme ta përmbyllim hapin e tretë të konstituimit të institucioneve, në mënyrë që ta kemi mandatin katërvjeçar. Përndryshe, shkojmë në zgjedhje”.
Në funksion të kësaj që tha Kurti, LVV-ja, parti të cilën ai e drejtoi, ndërmori veprime me të përfunduar seanca, ku u votuan komisionet funksionale të Kuvendit. Ajo nuk e thirri seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, por fillimisht bëri mësymjen për ndryshime në Ligjin zgjedhor.
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka proceduar për në Kryesinë e Kuvendit amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ligj ky që do t’i mundësojë diasporës së Republikës së Kosovës të votojë në ambasadat e Republikës sonë”, tha në një konferencë shtypi Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së.
Nëpërmjet votimit me postë, por edhe duke ardhur fizikisht në Kosovë, diaspora masivisht ka votuar LVV-në, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit siguroi mbështetjen e 50.28 për qind të elektoratit. E, me ndryshimet ligjore të propozuara, procesi i votimit të diasporës do të lehtësohej shumë më shumë. Ndërkaq, një pikë tjetër qenësore që synohej të ndryshohej, kishte të bënte me ndryshimin e nenit që ua pamundësonte garimin për deputetë të dënuarve në tre vjetët e fundit, në të cilën kategori bie edhe Kurti dhe i cili nen iu bë pengesë për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit.
Kryesia e Kuvendit u mblodh menjëherë dhe i kërkoi Qeverisë mendim mbi ndryshimet ligjore të propozuara dhe, sipas procedurës, ia dha një muaj kohë për të dhënë një mendim.
Por, Qeveria dha përgjigje shpejt.
Pas vlerësimit të ndikimit buxhetor që iu bënë ndryshimeve ligjore dhe pas vlerësimit të përputhshmërisë së tyre me legjislacionin e Bashkimit Evropian, Qeveria thirri një mbledhje në orët e darkës. Në të u miratua vendimi, me të cilin ekzekutivi dha mendimin pozitiv mbi këtë nismë ligjore.
Kryeministri Kurti tha se ndryshime të këtilla ishin iniciuar edhe më herët.
“Ai është një gjë që u pat iniciuar edhe në legjislaturën e gjashtë, pat vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë, ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani ne po e miratojmë në Qeveri, për ta proceduar për miratim të mëtejmë në Kuvend”, tha Kurti në mbledhjen urgjente të Qeverisë, që e thirri në orën 19:00. “Ky projektligj është në funksion të garantimit të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës edhe siç e dimë e mundëson votimin e bashkatdhetarëve në ambasada dhe konsullatat e Republikës”.
Opozita: Është shantazh

Opozita, e veçmas LDK-ja që kishte paralajmëruar participimin në kuorumin gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit, e kualifikoi shantazh veprimin e LVV-së.
Lumir Abdixhiku, kryetar i kësaj partie, tha se me këtë veprim Kurti nuk dëshiron ta zgjidhë çështjen e presidentit, ose dëshiron të krijojë destabilitet politik për të fshehur, siç tha, paaftësinë e tij për t’u përballur me problemet e mëdha, të cilat ka premtuar se do t’i zgjidhë dhe për të cilat e kanë votuar qytetarët e Kosovës.
“Veprimet e tilla të Kurtit dhe të shumicës parlamentare, të përkthyera në shantazh të drejtpërdrejtë të opozitës, rrezikojnë gatishmërinë për konstruktivitet, të shprehur nga Lidhja Demokratike, që nga dita e Kuvendit zgjedhor të LDK-së”, tha Abdixhiku. “I bëj thirrje kryeministrit Kurti dhe shumicës parlamentare që të heqin dorë nga ky shantazh i sotëm dhe nga logjika shantazhuese në raport me opozitën e vendit. Këto veprime aspak të përgjegjshme të z. Kurti, lënë të kuptojmë se ai s’ka asnjë interes që të zgjidhë çështjen e presidentit të vendit dhe të votojë Vjosa Osmanin për presidente, ashtu siç ka premtuar gjatë fushatës”.
Kurti s’e dëgjoi. Qeveria e tij e miratoi mendimin pro nismës ligjore të propozuar nga grupi parlamentar dhe ia përcolli atë Kuvendit me urgjencë.
Para se të thirrej seanca për në orën 21:30, në të cilën do të shqyrtoheshin ndryshimet ligjore, edhe pjesa tjetër e opozitës u pozicionua kundër.
Enver Hoxhaj, ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike (PDK), e ka quajtur fund të demokracisë tentimin e LVV-së për të ndryshuar Ligjin për zgjedhjet në procedurë urgjente dhe pa konsultimin e nevojshëm.
“Në vend se të kemi një program, në vend se të kemi plan se si të merremi me pandeminë, është prodhuar një krizë e re. Natyrisht që Ligji për zgjedhje në çdo vend demokratik nuk është inicim i vetëm një partie, por ndodh përmes një dialogu ku pjesë është edhe pozita, opozita, shoqëritë civile, mediat e qytetarët”, tha Hoxhaj. “Nuk pranojmë t’i nënshtrohemi vullnetit të askujt dhe do të mbetemi front për ta mbrojtur demokracinë në Kosovë, që është ndërtuar me mund dhe sakrificë. Qytetarët duhet ta kuptojnë se Albin Kurti është ai që po dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, në një situatë të njëjtë sikur vitin e kaluar. Albin Kurti po i frikësohet pushteti”.
Kritikë janë deklaruar edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Kjo e konfirmon edhe konstatimin tonë si subjekt politik që ndjenja e autoritarizmit, ndjenja e dominimit, arroganca e numrave nuk ishte veç deklarim i yni, por kjo po vërtetohet sot me sjelljen e këtij ligji për ndryshim”, ka thënë në një konferencë shtypi Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Kundër nismës së LVV-së dolën edhe shtatë organizata të shoqërisë civile, të cilat kërkuan tërheqjen e iniciativës për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme: Demokraci Plus (D+), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Demokraci për Zhvillim (D4D), Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (Çohu).
“Një proces kaq i rëndësishëm për demokracinë në vend, duhet të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje të opozitës dhe konsultim të gjerë me organizatat e shoqërisë civile, publikun dhe të fund të kërkohej edhe opinioni i Komisionit të Venedikut. Për më tepër, ndryshimet e propozuara janë parciale dhe nuk i adresojnë të metat e këtij ligji. Kjo nuk duhet të ishte qasja që ndiqet ndaj reformave në përgjithësi, pasi është joserioze dhe u shërben vetëm interesave të ngushta partiake”, thuhet në një reagim të përbashkët të tyre. “Në këtë moment, i gjithë fokusi i partive politike parlamentare duhet të jetë në shërbim të zgjedhjes së presidentit të ri”.

Pushteti ofron tri opsione
Glauk Konjufca e ushtron detyrën e presidentit nga pozita e kryeparlamentarit. Ai ka thënë se fajin nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do ta kenë vetëm deputetët që s’kanë marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, iniciativa e Vetëvendosjes për ndryshime në Ligjin për zgjedhje s’ka lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit.
“Gjithçka është e qartë: Kosova shkon në zgjedhje vetëm dhe VETËM nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së presidentes janë më shumë se 40. Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër”, ka deklaruar Konjufca. “Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opsione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundërkandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion – vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit”.
LVV-ja kumtoi të premten se pas miratimit të ndryshimeve ligjore, do të thirrej seanca për zgjedhjen e presidentit, në të cilën e pranoi se nuk ka garanci se mund të sigurohet kuorumi prej dy të tretave të deputetëve.
“Nga vullneti i shprehur i deputetëve të Kuvendit të Republikës, kemi konfirmimin se janë 80 të vullnetshëm të marrin pjesë në procesin e votimit, përderisa ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodhë brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëjtët që do të qëndrojnë prapa konfirmimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Mimoza Kusari.

Por, përkundër që Kuvendi refuzoi që ndryshimet ligjore për zgjedhjet të kalojnë në procedurë të përshpejtuar, bashkëpunëtorë të Vjosa Osmanit paralajmëruar se seanca për zgjedhjen e presidentit do të organizohet të shtunën.
“Nesër e votojmë Vjosën për presidente”, tha deputeti Haxhi Avdyli.
Vjosa Osmani është kandidate e Vetëvendosjes për presidente. Para Kryesisë së Kuvendit janë deponuar edhe nënshkrimet e nevojshme për kandidatin e dytë, Nasuf Bejtën, sa për të plotësuar kriterin kushtetues të garës në këtë proces zgjedhjeje.
E, dështimi për ta zgjedhur kreun e shtetit me automatizëm e çon vendin në zgjedhje të parakohshme.
Pas seancës, në të cilën nuk u siguruan votat për t’i shqyrtuar ndryshimet në procedurë të shpejtë në LVV thanë se nuk e tërheqin këtë iniciativë ligjore. E në LDK këmbëngulën se nuk ka pjesëmarrje në votim për kreun e shtetit, për aq kohë sa nisma ligjore është aktive.
“Ne nuk do të marrim pjesë në seancë pa u tërhequr ligji. Ne nuk japim ultimatum. Është në vullnetin e tyre”, tha pas seancës Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së. “Kemi ofruar gatishmërinë tonë për të gjetur zgjidhje, por nuk duan zgjidhje”.