Tubimi elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje e i kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, ka nxitur tensione në Skenderaj. Paraqitja e tij nuk është mirëpritur nga një grup qytetarët, të cilët përveç që kanë brohoritur kundër tij dhe kanë sharë, kanë hedhur edhe mjete piroteknike në drejtim të Kurtit e të simpatizantëve të tij
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk qe i mirëpritur nga të gjithë në Skenderaj. Derisa në njërën anë, me entuziazëm pritej ardhja e tij, përballë një grup qytetarësh brohorisnin për PDK-në e emrat e ish-udhëheqësve të saj.
Arritja e Kurtit nxiti turmën “kundërshtare” të hedhë edhe mjete piroteknike në drejtim të tij. Por, nuk shkoi gjatë e nikoqirit të takimit, iu ndal rryma. Kësisoj, për disa minuta iu ndërpre edhe fjalimi.
Kohën pa rrymë, simpatizantët e Vetëvendosjes e kaluan duke kënduar e brohoritur, e atyre iu bashkuan edhe zyrtarë të partisë. Situata u shfrytëzua edhe nga kandidati për kryeministër, Albin Kurti, për të shkëmbyer ca muhabete me pjesëmarrësit, e për të bërë fotografi me ta.
Hedhjen e mjeteve piroteknike në drejtim të tij e përkrahësve të Vetëvendosje, Kurti e pa ndryshe.
“Ne këtu e kemi pasur ndërmend të qëndrojmë më shkurt, por kjo mikpritje kaq e përzemërt edhe me petarde nuk kishte si të mos na detyronte që ta zgjatim tubimin”, ka thënë ai.
Qytetarët që kundërshtonin tubimin elektoral të tij, Kurti i ftoi në një takim tjetër, pas dy javësh. “E atyre që ju kanë tepruar petardet nga viti i ri e nëse ju ka ngelur edhe ndonjë pa e përdorur sonte atëherë ju tregoj më datën 9 shkurt do ta festojmë bashkë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje e të numrin 118 këtu në Skenderaj e anembanë Kosovës”, ka deklaruar ai.
Situata e tensionuar nga ana e qytetarëve që kundërshtonin tubimin u ndryshua me t`u hedhur sprej ndaj tyre nga Policia.
Në mes të thirrjeve e brohoritjeve kundër tij, Kurti foli për punët që tha se Qeveria i ka bërë në të mirë të qytetarëve të Skenderajt. Tha se nga buxheti prej 19.9 milionë eurosh për këtë komunë, 18.2 milionë euro janë grant qeveritar.
Sipas Kurtit, bujqit e fermerët e Skenderajt janë mbështetur me mbi 15 milionë euro subvencione, derisa shtesa kanë marrë edhe rreth 1 mijë e 800 nëna lehona e mbi 12 mijë fëmijë.
Për katërvjeçarin që synon, kandidati për kryeministër, tha se planifikon investim prej 150 milionë eurosh në efiçiencën e energjisë, duke përkrahur familjet në izolimin e shtëpive të tyre e po ashtu edhe për investime në institucionet publike si shkollat, spitalet e sallat e sportit.
Premtime pati edhe për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Gjatë mandati tonë të ri do të sigurohemi që të nis konservimi i kullave të rezistencës paralelisht me investimet e tjera për muzealizimin e tërë kompleksit memorial”.
Kurti akuzoi po ashtu pushtetin lokal në Skenderaj se ia ka pamundësuar mbajtjen e tubimit brenda hapësirave të shtëpisë së kulturës.
“Për 12 muaj të vitit, komuna e Skenderaj mos me qenë Qeveria e Kosovës nuk ka buxhet ma shumë se për një muaj. Edhe rinovimin e bëjmë ne, këta veç bejnë paralajmërime, zhurmë e tym por punën, mbrojtjen, zhvillimin, përparimin progresin, Republikën cep më cep, Skenderajn e çdo komunë, shtetin e pavarur e bon Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Nga Skenderaj, Kurti u nis për në tubimin e radhës në Poklek të Drenasit.
Me të arritur, në sallën e sportit u hodhën sërish mjete piroteknike.
Sipas tij, partitë opozitare të cilat, tha se, i ka bërë bashkë korrupsioni është duke i përçarë paraja.
“Neve na bën bashkë shpirti kombëtar e ideali i dëshmorëve. Ata po i ndan e përçan paraja e plaçkitur dhe e zhvatur nga korrupsioni i tyre i përbashkët. Korrupsionin e kishin të përbashkët por paraja po o ndan e po përçan. Ata që ishin të pa besë janë bërë edhe të pashpresë”, ka thënë ai.
Kurti shtoi se në Drenas Qeveria ka mbështetur 86 familje për izolimin e shtëpive e me shtesa, ka përkrahur rreth dy mijë nëna lehona e mbi 15 mijë fëmijë derisa tha se 470 të rinj e të reja janë punësuar përmes platformës qeveritare Super Puna.
“Për 17 vjet vetëm 4 çerdhe publike me qeverinë janë ndërtuar ose janë duke u ndërtuar 65 çerdhe në 25 komuna, në shtatë rajone të Kosovës, cep më cep. E në Drenas janë duke u ndërtuar 4 çerdhe edhe një tjetër që pret të filloj të ndërtohet po ashtu. Qeveria jonë po ndërton ma shumë çerdhe vetëm në Drenas sesa krejt qeveritë e tjera marrë së bashku për 17 vjet për krejt Kosovën”, ka thënë ai.
Tensione pranë tubimit të Kurtit në Skenderaj, intervenon Policia
Lëvizja Vetëvendosje po bën fushatë në Skenderaj. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, u prit me brohoritje të ndryshme, e në mesin e tyre pati edhe thirrje “Thaçi – Thaçi” dhe “Albin hajni”, derisa pranë tubimit ku u mblodhën disa qytetarë dhe Policia intervenoi për t'i larguar.
Kurti në hapësirën ku ishte paraparë të mbahej, u soll i rrethuar nga mbrojtja e afërt e çadrat mbrojtëse. E kur tubimi nisi për disa minuta u ndërpre energjia elektrike, e kësisoj u ndërprenë edhe fjalimet hyrëse.
Turmës së qytetarëve, policia e Kosovës iu përgjigj me hedhjen e sprejit e u mundua të izolohej e njëjta. Tubimi u zhvillua derisa në vazhdimësi ndaj pjesëmarrësve hidheshin mjete piroteknike.
Me të përfunduar ai, qytetarët nga të dyja anët u shpërndanë.

“Disa qyqanë të orkestruar nga partia paskan tentu me e pengu tubimin e Vetëvendosjes në Skenderaj. Për çudi, komuna paralele e Serbisë atje nuk ju bënte fort përshtypje, Harroni që na ndalni. Po thyejmë bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit. Politika primitive nuk kalon”, ka shkruar ai në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar tubimin në Drenas, ku pranë sallës u panë forca të shtuara të Policisë.
VIDEO:
VIDEO 2: