Me tensione mes opozitës dhe pushtetit po zhvillohet seanca e së hënës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Opozita është kthyer në seancë pas tri mungesave radhazi, por ka thënë se nuk do të votojë në asnjë pikë.
Shefi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se do të debatojnë, por s’do të marrin pjesë në votime, duke theksuar se “jem këtu ku jemi për shkak të inateve politike”.
“Nuk do te votojmë, do te debatojmë, flasim, por nuk votojmë. Jemi këtu ku jemi për shkak te inateve politike. Kemi problem me mos respektimin e ligjeve. Deri në vendimin e gjykatës ju jeni asamblistë”, ka deklaruar Sveçla.
Ndërsa, asamblisti i pavarur Fehmi Kupina, që dikur kishte postin e kryesuesit, e lëshoi sallën pasi tha se pakënaqësitë mes palëve kanë nisur nga përfaqësues të tjerë të Kuvend.
“Pakënaqësitë kanë ardhur nga përfaqësues të tjerë të Kuvendit. Që i kam përkrahur pa rezerva sepse kishin të drejtë. Unë kundërshtoj hapur mënyrën e funksionimit të këtij Kuvendi. Kundërshtoj rrëzimin tim nga detyra nga një seancë të jashtëligjshme nga kryetari. Më vjen turp nga kryetari i komunës… Nuk kam përfituar asgjë edhe kur të ndihmuam që të bëhem kryetar”, ka deklaruar ai.
Ne vendin ku ulet kryetari Përparim Rama, dy asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Besart Krasniqi dhe Arbnora Berisha vendosën një pano ku shkruhej “Zyre për Patundshmëri ‘LDK&PDK’ Real Estate by Përparim Ram(p)a”.
Ndërsa, me 24 vota pro ka kaluar propozimi për projektin ndërkombëtare “Solar4Kosovo”.