Deri në 33 gradë celsius parashihet të mbërrijnë temperaturat maksimale në fundjavën e 8 dhe 9 qershorit, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Në njoftimin e së premtes, IHMK-ja ka njoftuar se të shtunën parashihet mot me diell dhe vranësira që vende-vende, kryesisht në Dukagjin, mund të ketë edhe shi e shkarkime rrufesh. Të shtunën temperaturat minimale parashihet të lëvizin nga 11 deri në 15 gradë celsius e maksimalet nga 28 deri 32.
Të dielën pritet po ashtu mot me diell e vranësira të pjesshme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 15 gradë celsius e maksimalet nga 29-33.
Sipas njoftimit, shkalla e avullimeve është e lartë dhe në temperaturat e tilla lagështia e formuar si rezervë gjatë majit po humbet. Kjo do të ndikojë në përkeqësim të kushteve agrometeorologjike.