Arbëri

Telefonatat e kushtueshme të zyrtarëve shtetërorë

Gjysmë milioni euro është shuma që kanë shpenzuar 13 ministri, Zyra e Kryeministrit dhe disa ministri gjatë vitit 2023. Në vendimin e Qeverisë, shumat mujore që parashihen për disa kategori të zyrtarëve shtetërorë janë nga 20 deri në 150 euro. Në shoqërinë civile kanë thënë se duke parë ofertat e operatorëve ekonomikë, disa prej këtyre shumave nuk arsyetohen fare. Është kërkuar që vendimi të ndryshohet

Më shumë se 2 milionë euro i kanë kushtuar shtetit shpenzimet e telefonisë mobile për pesë vjetët e fundit (2019-2023) për zyrtarët e Zyrës së Kryeministrit, ministrive dhe disa agjencive të pavarura. Siç shihet në tabelat e këtyre shpenzimeve që KOHËS i është lejuar qasje vetëm pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (përjashtim bëjnë 2-3 ministri) vetëm në vitin 2023 këto institucione kanë harxhuar më shumë se gjysmë milioni euro për telefoninë mobile. Në këtë shumë nuk janë përfshirë shpenzimet e telefonisë fikse.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka shpenzuar më së shumti krahasuar me ministritë e tjera. Vetëm për telefoninë mobile për 2023, kjo ministri ka harxhuar 198 mijë e 283 euro. Por zyrtarë të saj kanë sqaruar se në këtë shumë janë përfshirë edhe Dogana,  Administrata Tatimore, Inspektorati i Punës,  Agjencia e Punësimit, Autoriteti Qendror i Prokurimit Publik, Njësia e Inteligjencës Financiare, Thesari dhe ish-programet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Disa institucione shpenzuan mbi 800 mijë euro për 5 vjet

Shikuar ndër vite, MFPT-ja edhe pse më herët ka qenë e ndarë nga MPMS-ja, ajo më herët kishte shpenzuar më shumë sesa tash kur janë bërë bashkë dy ministri, por që i kishte ulur ato në vitet pasuese. Vetëm për telefoninë mobile, më 2019 ajo kishte shpenzuar 213.201 euro, më 2020 - 81,086 euro, më 2021 - 178,993 euro, më 2022 – 162.237 euro dhe më 2023 – 198.283 euro. 
Në total për pesë vjet kjo ministri ka shpenzuar 834 mijë e 500 euro, përfshirë edhe institucionet e pavarura. 

Kur janë pyetur zyrtarët e kësaj ministrie pse shpenzohen këto mjete mujore, kur ka oferta më të lira në treg, ata kanë thënë se kjo duhet të diskutohet me organin propozues të vendimit, “meqë MFPT nuk e ka sponsorizuar”.

Megjithatë, gati secila ministri ka më pak mjete të shpenzuara për telefoninë mobile sesa më 2019, përjashtimisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës që në vitin 2019 kishte shpenzuar më pak se më 2023, por që në atë kohë Ministria e Administratës ishte ndaras nga ajo e Brendshme. 

Për pesë vjet, kjo ministri për telefoninë mobile ka shpenzuar 417 mijë e 473 euro. Më 2019 kjo Ministri kishte harxhuar 79.735 euro, më 2020 – 72.832 euro, më 2021 – 67.838 euro, më 2022 – 95.853 euro dhe më 2023 – 101.212 euro. 

Ajo që vërehet është përgjysmimi i shpenzimeve nga Zyra e Kryeministrit nga viti 2019 krahasuar me vitin 2023. Në vitin 2019, Zyra e Kryeministrit ka shpenzuar 72.429 euro, më 2020 – 37.022 euro, më 2021 – 31.293 euro, më 2022 – 30.370 euro dhe më 2023 – 29.531 euro. Ndërsa për pesë vjet shpenzimet e telefonisë mobile të ZKM-së janë 200 mijë e 645 euro. 
“Aty përfshihen shpenzimet e stafit të kryeministrit, zëvendëskryeministrit, dhe zyrtarëve civilë të Zyrës së Kryeministrit (që përfshijnë drejtorë, udhëheqës, koordinatorë, zyrtarë të lartë) sipas vendimit në fuqi. Siç mund ta shihni nga raporti përmbledhës shpenzimet telefonike kanë shënuar rënie ndër vite. Në vitin 2020 shpenzimet ishin për gati 50% më pak se viti pararendës, pas hyrjes në fuqi të vendimit të ri për racionalizimin e përdorimit të telefonave gjatë Qeverisë Kurti 1. Kurse vitin e kaluar, 2023, ato ishin gati 60% më pak se në vitin 2019”, thuhet për përgjigjet e Zyrës për komunikim me publikun të Zyrës së Kryeministrit.

ZKM-ja i përgjysmoi shpenzimet e MD-ja i rriti

Sikurse Ministria e Punëve të Brendshme, edhe Ministria e Drejtësisë i ka rritur shpenzimet e telefonisë mobile më 2023 krahasuar me ato të 2019-s. Më 2019, kjo ministri ka shpenzuar 28.171 euro, më 2020 – 18.484 euro, më 2021 – 19.857 euro, më 2022 – 24.032 euro dhe më 2023 – 29.722 euro.

Në total për pesë vjet kjo ministri ka shpenzuar 120 mijë e 266 euro. 
Shpenzimet telefonike mobile në Ministrinë e Mbrojtjes kanë shënuar ulje e ngritje ndër vite. Për shembull në vitin 2019 kjo Ministri ka shpenzuar 28.960 euro, më 2020 – 21.387 euro, më 2021 – 22.024 euro, më 2022 – 22.470 euro dhe më 2023 – 22.772 euro. Në përgjithësi për pesë vjet kjo ministri ka shpenzuar 117 mijë e 615 euro. 

“Baza mbi të cilën u mundësohet zyrtarëve publik shfrytëzimi i telefonisë fikse dhe mobile është Vendimi QRK nr. 01/23, dt. 08.04.2020 - për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Shpenzime mujore përafërsisht janë (p.s muaji dhjetor 2023) 1856.01€ për MM, kurse vjetore për telefoninë mobile (p.s viti 2023) 22,772.35 €”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Mbrojtjes.

Bazuar në të dhënat e dërguara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për pesë vjet ky institucion për telefoninë mobile ka shpenzuar 90 mijë e 839 euro. Shikuar ndër vite MMPHI-ja në vitin 2019 ka shpenzuar 42.500 euro, më 2020 - 4520 euro, më 2021 - 9585 euro, më 2022 – 15.997 euro dhe me 2023 – 18.263 euro. 

“Ju informoj se MMPHI ka ndërruar disa herë strukturën organizative. Në vitin 2021 është bërë bashkimi i dy ish-ministrive: Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Infrastrukturë që te dy ish-ministrit kanë krijuar MMPHI”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ofruar të dhëna vetëm për vitin 2023. Por, që nëse e shumëzohet shuma e vitit 2023 me pesë vjet, atëherë i bie që kjo Ministri ka shpenzuar rreth 100 mijë euro për telefoni mobile.  

“Sipas kontratës në mes të MPB-se dhe Telekomit te Kosovës Sh.A respektivisht marrëveshjes për shfrytëzimin e shërbimeve te telefonisë mobile, zyrtarisht kërkesa për shfrytëzimin e shërbimeve mobile bëhet përmes Ministrisë se Punëve te Brendshme, derisa faturimi dhe pagesa e faturave të krijuara kryhet nga MKRS-ja”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së. “Bazuar në informatat e siguruara nga zyrtari përgjegjës, në vijim ju paraqes shpenzimet e telefonisë mobile për vitin 2023: Numri i zyrtarëve të MKRS-së dhe institucioneve vartëse të cilët shfrytëzojnë shëerbimin - 203 zyrtarë. Vlera totale në vit - 16,884 euro, shërbimi roaming. Zyra e ministrit dhe ministri - 9 zyrtarë. Vlera totale në vit - 3,676 euro, shërbimi - roaming dhe postpaid”.

Disa ministri nuk ofruan qasje të plotë në shpenzime

Edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë treguar shpenzimet e telefonisë vetëm për vitin 2023, e që është 15 mijë e 894 euro, që i bie rreth 80 mijë euro në pesë vjet. 
Rreth 80 mijë euro për pesë vjet ka harxhuar edhe Ministria e Ekonomisë. 

“Sipas vendimit Nr.01/23(08/04/2020) dhe Vendimit Nr.02/137(31/03/2023), shpenzimet vjetore për vitin 2023 të stafit të Ministrisë së Ekonomisë janë: Telefonia mobile 14,920 euro”, thuhet në përgjigjet e ME-së. 

Në vitin 2023 nga të gjitha ministritë më së paku ka shpenzuar Ministria për Kthim dhe Komunitete, gjithsej 9 mijë e 265 euro. Por, më 2019 kjo Ministri ka harxhuar 30,424.09 euro për telefoninë mobile, në vitin 2020 - 13,887 euro, më 2021 - 10,628 euro dhe në vitin 2022 - 9,603 euro. Në total për pesë vjet, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka shpenzuar 73 mijë e 808 euro. 

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë në vitin 2019 për telefoninë mobile ka harxhuar 15,860 euro, më 2020 - 15,371 euro, më 2021 - 14,512 euro, më 2022 - 12,696 euro dhe më 2023 15,239 euro. Në total kjo Ministri për pesë vjet ka shpenzuar 73 mijë e 680 euro. 

“Për mbushjet elektronike të telefonisë mobile MASHTI i referohet vendimit nr. 01/23 të datës 08.04.2020, të nënshkruar nga Kryeministri i Kosovës. Sipas vendimit të drejtën e shfrytëzimit të mbushjeve elektronike kanë: Ministrja shfrytëzon shërbimin postpaid në vlerën e lejuar 70 €.  Po ashtu sipas vendimit të cekur më lartë shërbimin postpaid e kanë të lejuar edhe zëvendësministrat, mirëpo ky shërbim nuk është shfrytëzuar nga ata, kështu që zëvendësministrat nuk kanë asnjë shpenzim të telefonisë mobile”, thuhet në përgjigjet e MASHTI-t. 

Në Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2019 për shpenzime të telefonisë mobile kanë shpenzuar 20,593 euro, më 2020 - 12,965 euro, më 2021 - 13,001 euro, më 2022 - 13,636 euro dhe në vitin 2023 - 12,411 euro. Për pesë vjet kjo Ministri ka shpenzuar 72 mijë e 608 euro.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka rritur shpenzimet e telefonisë mobile, por që më parë Ministria e Diasporës funksiononte si e ndarë. Në vitin 2019 ajo ka shpenzuar 12,725 euro, më 2020 - 17,617 euro, më 2021 - 13,904 euro, më 2022 - 16,127 euro dhe më 2023 ka harxhuar 19,495 euro.

 20 kategoritë përfituese

Zyrtarët e Ministrisë për Zhvillim Rajonal kanë thënë se shpenzimet mujore për telefoninë mobile janë 970.00 euro në muaj, ndërsa shuma vjetore është 11.640.00 euro
“Në 5 vjetët e fundit ka pasur ndryshime të trajtave sa i përket telefonisë mobile, mirëpo përafërsisht me tarifat e reja shpenzimi për telefoninë mobile për 5 vitet e fundit për Ministrinë tonë është 59,000.00 euro”, thuhet në përgjigjen e MZHR-së.

Vendimi i kryeministrit, Albin Kurti, i vitit 2020 parasheh 20 kategori të zyrtarëve shtetërorë, të cilëve u njihet e drejta e përdorimit të telefonisë mobile postpaid dhe mbushjeve telefonike mujore. 
Shuma e përcaktuar postpaid për kryeministrin është deri në 150 euro, për zëvendëskryeministrat deri në 100 euro, për ministrat deri në 70 euro dhe për zëvendësministrat, shefin e stafit dhe atë të kabinetit të kryeministrit e sekretarin e përgjithshëm të Zyrës së kryeministrit deri në 50 euro. 

Kurse për mbushje telefonike prej 30 eurove në muaj të drejtë kanë shefat a kabineteve të zëvendëskryeministrave dhe ministrave, këshilltarët politikë të kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave, sekretarët e përgjithshëm të ministrive dhe drejtorët ekzekutivë të agjencive. E nga nga 20 euro mbushje çdo muaj përfitojnë nëpunësit e punësuar në kabinetin e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave, drejtorët e zyrave të Zyrës së kryeministrit, drejtorët e departamenteve si dhe pozitat e barasvlershme, udhëheqësit e divizioneve si dhe pozitat e barasvlershme dhe nëpunësit e punësuar në Zyrën e Sekretarit të përgjithshëm të Zyrës së kryeministrit.

 “FOL” kërkon rishikimin e vendimit

Nga Zyra e Kryeministrit thonë se me vendimin e Kurtit janë ulur shpenzimet për telefoninë fikse e mobile. 

“Qeveria e Kosovës, përmes Vendimit Nr. 01/23 të datës 08.04.2020 për përdorimin e telefonave fiks dhe mobil në Qeverinë e Republikës së Kosovës, e me qëllim racionalizimin e parasë publike për përdorimin e telefonave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka shfuqizuar Vendimin e Qeverisë së Kosovës – Institucionet  e përkohshme të vetëqeverisjes Nr: 05 / 3 i datës 22.01.2008, si dhe janë pezulluar nenet (2,3,4,5,6,7 dhe 8), të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Republikës së Kosovës -  Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes. Me datën 31.03.2023, me Vendim të Qeverisë Nr.02/137 është shfuqizuar Udhëzimi Administrativ Nr.04/2008 për Përdorimin e Telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së. 

Ofertat e dy operatorëve të telefonisë mobile nisin nga 5 e 6 euro dhe tutje. Asnjë nga institucionet nuk është përgjigjur pse shpenzohen këto mjete kur ka oferta më të lira në treg. 
Mexhide Demolli nga organizata “FOL” ka thënë se duke parë çmimet në treg, për disa kategori nuk arsyetohen shumat e parapara me vendim. 

“Këtë e them për faktin sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe i shohim ofertat që i ofrojnë operatorët ekonomikë, në këtë rast operatorët telefonikë në vendin tonë edhe ka oferta që janë shumë më të lira dhe kanë minutazhë pa kufij në shërbimet që i ofrojnë. Prandaj, konsideroj se ndoshta edhe kjo duhet të rishikohet konform ofertave aktuale që i kanë këta dy operatorë aktualisht sa na i kemi në vendin tonë”, ka theksuar Mexhide Demolli.

E për disa kategori të zyrtarëve shtetërorë, Demolli thotë se nuk duhet të ketë fare limit. 

“Është më se e qartë që personat që kanë të bëjnë qoftë nga Ministria e Punëve të Jashtme që i kanë të domosdoshme kontaktet me jashtë vendit, për ta ndoshta duhet të mos ketë edhe limit fare. Nuk besoj se do të ketë mundësi të keqpërdorimeve”, ka thënë ajo.
Demolli e sheh të nevojshme që të ndërhyhet sërish në vendimin e Qeverisë në mënyrë që të ulen disa nga shpenzimet e telefonisë mobile.