Problematika e konstatuar nga Komisioni Evropian që lidhet me numrin e madh të pozitave të larta me ushtrues detyre, synohet të adresohet nga Qeveria përmes një plani të ri të veprimit mbi zbatimin e Strategjisë për Reformën në Administratën Publike. Por, bazuar në një plan veprimi, Qeveria nuk synon që ta arrijë para 2026-s tavanin prej 20 për qind të pozitave që mbahen me ushtrues detyre
Qeveria i ka vënë synim vetes që tek në vitin 2026 ta ulë numrin e pozitave me ushtrues detyre në institucionet e administratës publike në jo më shumë se 20 për qind.
Kjo konfirmohet në planin e veprimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike për zbatimin e Strategjisë së reformës për këtë sektor. Sipas të dhënave të shoqërisë civile, aktualisht numri i pozitave me ushtrues detyre është rreth 37 për qind për sekretarë ndërkaq 79 për qind në agjencitë ekzekutive.
E mbajtja e shumë pozitave të larta me ushtrues detyre përmendet si problematikë edhe në Raportin e Komisionit Evropian, të publikuar në shtator.
“Cilësia e menaxhimit në institucione vazhdoi të dëmtohet nga vonesat në uljen efektive të vendeve të lira të rregullta dhe një numër i madh i pozitave të larta drejtuese të plotësuara me ushtrues detyre. Zbatimi i ngadalshëm i rregullores për klasifikimin e vendeve të punës dhe rishikimi i vonuar i organizimit të brendshëm të institucioneve publike është ende në pritje. Këto vonesa rrezikojnë të cenojnë transparencën e të dhënave për nevojat e burimeve njerëzore”, shkruan në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024.
Komisioni ka kërkuar hartimin e një plani vjetor realist sa i rekrutimeve në shërbimin e civile, tek përmend dështimet në plotësimin e pozitave të larta drejtuese.
Përfaqësues organizatash të shoqërisë civile thonë se tashmë është bërë praktikë që një numër pozitash të mbahen me ushtrues detyre, edhe pse ligji nuk e lejon.
Ema Pula, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GJPS) thotë se një numër i madh i pozitave drejtuese, përfshirë sekretar të përgjithshëm, drejtor departamenti dhe udhëheqës i divizionit vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre, edhe pse afati ligjor ka skaduar. Shprehur në përqindje, sipas saj, për sekretarë është rreth 37 për qind e pozitave me ushtrues detyre, ndërsa për agjenci ekzekutive/vartëse është rreth 76 për qind.
“Sa u përket pozitave të larta drejtuese, nga 16 ministri të Qeverisë, 5 prej tyre funksionojnë me ushtrues detyre. Ndërsa sa u përket agjencive ekzekutive, 29 prej tyre janë me ushtrues detyre/zëvendësues. Ligji për Zyrtarët Publikë ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2023 dhe rregullon çështjen e ushtruesve të detyrës. Sipas këtij ligji, në çdo pozitë që mbetet e lirë mund të caktohet një ushtrues detyre për një periudhë prej 6 muajsh. Nëse pozita ende nuk plotësohet, ky afat mund të zgjatet edhe për 6 muaj të tjerë, duke arritur në një total prej 1 viti”, ka thënë Pula.
Ajo shton se në këtë rast, është obligim i institucioneve t’i ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të plotësuar pozitat e lira, me inicimin e procedurave të rekrutimit. Pula ka përmendur faktin se më 30 tetor, Kuvendi miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend në qershor, afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ishte 2 vjet.
“Në procedura parlamentare është shtuar një amendament, ku afati për mbajtjen e pozitave me ushtrues të detyrës ka ndryshuar nga 2 vjet sa ishte propozuar, në 1 vit, por me mundësi zgjatjeje pa ndonjë kufizim kohor nën kushtin nëse procedurat e rekrutimit janë shpallur, por që për arsye objektive, pozita nuk është plotësuar. Ky rregullim lejon hapësirë që pozitat me ushtrues detyre të mbahen në kohë të pacaktuar siç është bërë praktikë këto kohë”, ka theksuar Pula.
Vetëm Zyra e Kryeministrit ka më shumë se dy vjet që e ka mbajtur me ushtrues detyre, pozitën e sekretarit të përgjithshëm, ani se ligji e kufizon në vetëm një vit.
Në këtë pozitë ka qëndruar Arben Krasniqi, nga qershori i 2021-tës, të cilit, sipas ligjit, më së largu do t’i lejohej ushtrimi i këtij funksioni deri në qershor të 2022-tës. Qeveria, ndonëse i pati përfunduar procedurat e rekrutimit dhe pati publikuar listën e kandidatëve fitues në korrik të 2022-tës, tek javën e shkuar e ka emëruar sekretar Krasniqin.
Fushëveprimi i Strategjisë së Administratës Publike është i përmbledhur në katër fusha prioritare: Planifikimi dhe Koordinimi i Politikave; Ofrimi i shërbimeve; Shërbimi Publik dhe Menaxhimi i Burimeve Njerëzore (MBNJ); Llogaridhënia dhe transparenca.
Dokumenti përqendrohet në përgjegjësitë dhe detyrat administrative të Qeverisë dhe administratës shtetërore nën udhëheqjen, kontrollin dhe mbikëqyrjen e Qeverisë. Ky dokument synon gjithashtu detyra dhe përgjegjësi të tilla administrative, duke njohur njëkohësisht autonominë e administratës lokale.
E, plani i veprimit parasheh edhe masa të tjera në funksion të rritjes së efikasitetit të administratës publike, për të cilën kanë konstatuar mangësi organizata vendore e ndërkombëtare.
Sipas këtij plani, edhe plotësimi i së paku 80 për qind të vendeve të lira të planifikuara në planin vjetor të personelit për institucionet e administratës shtetërore, parashihet të kryhet në 2026-n.