Qamil Mustafa, i biri i Tefik Mustafës që është arrestuar para disa ditësh në Serbi nën pretendimet se ka kryer krime lufte më 1999, ka njoftuar se babai i tij është vizituar nga motra.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, ai ka bërë të ditur se kjo vizitë është mundësuar nga ambasada e Italisë në Beograd.
Siç ka njoftuar ai, Mustafa gëzon shëndet të mirë, megjithatë vizita ka zgjatur rreth 20 minuta.
“Sot për herë të parë motra jonë ka shkuar ta vizitojë babanë atje. Kemi informacione vetëm që është takuar, mirë është, nuk kemi informata tjera njëherë. Sa kam informata të shkurtra, diku rreth 15-20 minuta më shumë nuk ka pasur mundësi të rri aty. Ajo është siguruar përmes ambasadës italiane dhe zyrës ndërlidhëse, pra përmes avokatit që e kemi, por pikërisht ambasada italiane ka qenë ajo që e ka mundësuar këtë vizitë. Deri më tani ne nuk kemi pasur mundësi të kontaktojmë me babanë tonë, prej ditës që është arrestuar deri më sot ne si familjarë nuk kemi pasur qasje, duket se po cilësohet si arrestim më i veçantë”, ka thënë ai.
Qamil Mustafa sërish ka potencuar se babai i tij gjatë kohës së luftës nuk ka qenë në Kosovë dhe se akuzat ndaj tij janë të pabaza.
“Avokati ka bërë ankesë paraprake për ta shpejtuar procesin e gjykimit, nuk ka marrë ende asnjë informacion, ai i ka të caktuara 30 ditë paraburgim, sipas kontakteve me avokatin derisa të përfundojë kjo periudhë nuk ka të reja. Babai ynë gjatë luftës nuk ka qenë në Kosovë, nga viti 1997 deri më 2004 nuk ka qenë në Kosovë, akuzat që janë drejtuar për prindin tonë janë akuza të pabaza. Ne e konsiderojmë si të pafajshëm. Ai ka udhëtuar disa herë për Serbi, nuk ka pasur asnjëherë telashe, kësaj radhe ndodhi dhe na ka shqetësuar të gjithëve”, është shprehur ai.