Arbëri

Të përjetosh perëndimin e diellit në Santa Teresa

Amerikanë me dërrasa mbi valë, europianë që habiten nga çmimet, majmunë që bëjnë gjimnastikë nëpër degë dhe një ujëvarë që bie në oqean: në siujdhesën Nicoya të Kostarikës.

Nga xhungla në oqean. Nga liqeni i Arenalit në siujdhesën Nicoya. Kjo rrugë në veri të Kostarikës nuk është e vështirë. Ka madje disa kilometra autostradë. Dhe udhëtimin e ëmbëlson edhe më shumë kënga «Amigo» e këngëtarit të famshëm brazilian Roberto Carlos. Është një himn për vlerën e miqësisë.

Kjo pjesë e udhëtimit fillon në Playa Avellanas, buzë oqeanit Paqësor. Në një lokal të atyshëm çmimet në meny janë të deklaruara në dollarë amerikanë (jo në Colón të Kostarikës). Dhe çmimet janë të standardeve zvicerane. Një burger, dy birra – 31 dollarë. Kush futet pak më thellë në mal dhe ndalet pranë rrugës së paasfaltuar, mund të zbulojë restorante me çmime të arsyeshme (dhe me ushqime të shijshme).

Këtu nuk ka bare të zhurmshme, as rrugë të ngarkuara nga komunikacioni. Plazhet si Playa Junquillal apo Playa Negra janë pothuaj bosh. Kush kërkon pak tollovi, atë e gjen në qytezën Tamarindo, dikur një fshat peshkatarësh. Gastronomia është e orientuar nga kërkesat e turistëve, kryesisht amerikanë. Në qendër të qytezës bie në sy një pazar që ofron ushqime nga shumë vende latinoamerikane (të cilat mund të konsumohen aty për aty), ka edhe punime druri, qëndisma, pemë tropikale. Dikur shfaqet një bend që bën muzikë nëpër pazar dhe turistët kureshtarë nxjerrin telefonat e tyre dhe fillojnë të incizojnë.


Dy pjesët e para: 


Për të shkuar nga Tamarindo në Montezuma, stacioni i ardhshëm i rrugëtimit, duhet planifikuar rreth katër orë. Për rreth 160 kilometra! Pjesa më e madhe e rrugës është e asfaltuar, por ka etapa ku rruga është një lloj piste me zall e gurë. Montezuma është një fshat me turistë kreativë dhe alternativë, në rrugë shtegtojnë hipikë të humbur në ëndrra dhe bredhës të dynjasë, atmosfera është krejtësisht e shpenguar. Jo rastësisht ky fshat quhet edhe «Montefuma» (fumar domethënë pirje e duhanit). Që këtu nuk pihet vetëm duhan, mund të merret me mend.

Për ata që nuk tymosin, ka aktivitete alternative. Mund të shikosh majmunët duke bërë gjimnastikë nga dega në degë. Ose të shkosh te ujëvara Catarata de Montezuma, e cila arrihet pas një ecjeje rreth 30-minutëshe pranë bregut të lumit. Pasdite patjetër duhet të përjetohet perëndimi i diellit në Santa Teresa. Ky fshat gjendet rreth 40 minuta me veturë larg Montezumas. Playa Santa Teresa hyn në mesin e plazheve më të bukura të Kostarikës. Këtu mbahen shpesh kampionate nacionale të surfimit. Po ashtu mijëra turistë amerikanë vallëzojnë mbi valë me dërrasën e surfimit. Plazhet janë të paprekshme, të qeta dhe të përshtatshme për të shëtitur, medituar apo lexuar. Klima është e butë, temperatura gjatë gjithë vitit sillet mes 25 dhe 30 gradë. Në buzëmbrëmje njerëzit mblidhen përgjatë plazhit për të përjetuar perëndimin mahnitës të diellit. Kështu mori fund dita e 13 nëntorit.

Të nesërmen duhej parë patjetër ujëvarën Catarata el Chorro, e cila gjendet në plazhin Cocalito afër Montezumas. Nëse gjeografët kanë numëruar mirë, kjo është njëra nga 7 ujëvarat në planet që derdhet drejt në oqean. Shtegu deri te ujëvara kalon pranë oqeanit, nëpër plazhe aq të vetmuara, saqë nganjëherë krejt skena duket joreale, madje surrealiste. Për vajtje-ardhje duhet planifikuar së paku 4 orë. Dhe duhet marrë me vete së paku dy litra ujë.

Këto s’janë pushime për dembelë që duan të rrinë pranë pishinës së hotelit. Caku i ardhshëm pasditen e 14 nëntorit ishte Playa Cuevas, një plazh që sa çel e mbyll sytë të katapulton në një dimension tjetër: nëse ka parajsë, kështu duhet të jetë (së paku te porta). Të nesërmen aventura e radhës: ishulli Tortuga! Gjendet në juglindje të siujdhesës Nicoya. Një parajsë me rërë të bardhë dhe me ujë të kaltër në të gjelbër (shqipja e ka një fjalë specifike për këtë ngjyrë: gurkali). Këtu shkohet me anije të shpejta, për shembull nga fshati Montezuma. Ishulli i vogël nuk ka hotel. Aty shkohet për të kaluar disa orë duke shikuar florën, faunën dhe oqeanin. Lundrimi i furishëm përgjatë bregoqeanit ofron një perspektivë spektakulare për të fotografuar. Nga mesi i udhës detare shfaqen delfinë të ndrojtur. Tortuga përbëhet në të vërtetë nga dy ishuj: Alcatrazi (sic!) ka trajtën e breshkës dhe është 60 hektarë i madh dhe Tolinga (ishulli kryesor, 120 hektarë).

Mesditën e 16 nëntorit, fiks në orën 13:00, në San José, kështu quhet kryeqyteti i Kostarikës, dorëzova veturën që kisha marrë me qira 10 ditë më parë. Pa asnjë gërvishtje dhe pa asnjë problem gjatë rrugës, diçka jo e vetëkuptueshme për një shofer mesatar, që drejtimin e automjeteve e konsideron humbje të kohës së vlefshme. Etapa e fundit do të më shpinte në anën tjetër të Kostarikës, në Detin e Karaibeve, i cili është pjesë e oqeanit Atlantik.

Pasuria më e madhe e Kostarikës është natyra me resurset e saj. Gati 100 për qind e rrymës prodhohet nga burimet ekologjike. Pjesa më e madhe nga uji. Kujdesi ndaj natyrës është mbresëlënës. Pothuaj askund nuk sheh bërllok dhe edhe në fshatin më të largët do gjeni shporta të ndryshme për ndarjen e mbeturinave. Në fillim të viteve 1980-të Kostarika njihej në botë si vend me prerjen më të madhe të lisave. Për shkak të zhvillimit të shpejtë të blegtorisë kërkohej sa më shumë hapësirë për kullosa. Në vitin 1987 vetëm 21 për qind e territorit të vendit ishte e mbuluar me pyje e male. Tani rreth 60 për qind e territorit është e mbuluar me male e pyje. Ky rezultat spektakular ka qenë i mundur falë politika të mençura qeveritare. Është themeluar, për shembull, fondi i pyjeve Fonafifo, i cili mes tjerash financohet edhe nga një taksë për benzinë.

Shkrimi i radhës nga udhëtimi në Kostarikë do të botohet në ditët në vijim.

{gallery}