Njoftimi i fundit i USAID-it tregon se të gjithë punonjësit e agjencisë janë pezulluar nga puna, pas vendimit të presidentit Trump për të ndaluar përkohësisht ndihmat për jashtë, për 90 ditë. Kjo masë ka ndikuar në projektet aktive në Kosovë, ku mbi 163 milionë dollarë kanë qenë të zotuara për fushat e energjisë, sistemit gjyqësor dhe pushtetit lokal. E shuma e granteve për vitin 2024 ka qenë 46 milionë euro. Nga to, sipas llogaritjeve të KOHËS, 83 milionë dollarë mbesin të ngrira deri në një vendim të ri
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) gjatë vitit që shkoi në projekte aktive në Kosovë ka të zotuara 209 milionë dollarë amerikanë.
Nga to, rreth 83 milionë janë pezulluar.
Nëpërmjet projekteve që i ka financuar e granteve që i ka ndarë në Kosovë, USAID-i ndihmoi sektorë të ndryshëm përfshirë institucione publike, organizata joqeveritare, biznese private e medie.
KOHA ka mbledhur të gjitha projektet aktive të USAID-it në Kosovë gjatë vitit të kaluar, e disa prej tyre kanë vazhduar edhe në 2025-tën.
Projektet e USAID-it janë të ndara në dy kategori, kontrata dhe grante.
Kontratat aktive gjatë vitit të kaluar, të nënshkruara nga agjencia amerikane kapin vlerën e 163 milionë dollarëve.
Prej tyre, 98.1 milionë veçse janë dhënë, e 65.8 milionë mbesin të ngrira deri në vendimin e ri të presidentit amerikan Donald Trump pas 90 ditësh, kur pritet të vendosë se a do t’i anulojë, aprovojë apo reduktojë ato.
Nga 163 milionët e premtuar fillimisht, 37 milionë dollarë janë të destinuar për pushtetin lokal me theks në llogaridhënie, përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje dhe lehtësira në shërbime.
Janë 20 milionë dollarë në fushën e energjisë, e 25 milionë të tjera për sistemin gjyqësor, nga to, afro 13 milionë për Gjykatën Komerciale.
Në një përgjigje të kësaj gjykate, thuhet se nga USAID paguheshin 9 punëtorë.
“Në Gjykatën Komerciale të Kosovës, nga Programi për Drejtësi Komerciale i USAID-it, kanë qenë të angazhuar gjashtë (6) këshilltarë ligjorë dhe tre (3) praktikantë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Nga kontratat e USAID-it, një pjesë e mjeteve janë dhënë për subvencione në bujqësi, biznese private, politika rinore etj.
E kategori e veçantë janë edhe grantet të cilat u janë ndarë kryesisht organizatave joqeveritare e agjencive të tjera, të huaja dhe vendore.
Shuma e granteve nga USAID për vitin 2024 është 46 milionë euro. Nga to, afro 18 milionë janë pezulluar.
Pos pezullimit të fondeve, edhe uebfaqja e USAID-it nuk është më e disponueshme.
Sapo ta hapësh uebfaqen, shfaqet njoftimi se të gjithë punëtorët e kësaj agjencie janë pezulluar nga puna.
Pas këtij vendimi, amerikanët që kanë punuar në këtë agjenci janë thirrur të kthehen në SHBA.
“Për personelin e USAID-it që ndodhet aktualisht jashtë Shteteve të Bashkuara, agjencia, në bashkëpunim me misionet dhe Departamentin e Shtetit, është duke përgatitur një plan në përputhje me të gjitha kërkesat dhe ligjet në fuqi, sipas të cilit agjencia do të organizojë dhe do të financojë kthimin në Shtetet e Bashkuara brenda 30 ditëve”, thuhet në njoftimin në faqen e USAID-it
E për t’i riorganizuar ndihmat për jashtë, presidenti Trump detyrën ia ka besuar miliarderit Elon Musk, i cili në administratën e re e udhëheq Departamentin për Efiçiencë Qeveritare.