Arbëri

Të moshuarit, të privuar nga shërbimet online

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!

Për sigurimin e dokumenteve, shërbimeve dhe për kryerjen e pagesave, shumica e institucioneve publike e private në Kosovë ofrojnë mundësinë elektronike. Por, shumë pensionistë nuk dinë të kryejnë shërbime online. Shpesh ata u drejtohen për ndihmë personave jashtë rrethit familjar dhe, sipas ekspertëve të kibernetikës, kjo përbën rrezik meqë ua ekspozon të moshuarve të dhënat personale, përfshirë ato bankare. Në shoqata të pensionistëve kërkojnë nga institucionet që të ofrohen programe aftësimi

Mybera Kosumi është kryetare e degës në Prishtinë e Shoqatës së Pensionistëve. Shumë të moshuar drejtohen në zyra për ndihmë, e vetë Kosumi thotë se kur teknologjia po gjen çdo ditë e më shumë përdorim për të marrë e kryer shërbime, telefonin di ta përdorë vetëm për komunikim.

Ajo tregon se sa herë që sheh fjalën online për të marrë ndonjë shërbim, e di që për kryerjen e kësaj pune i duhet ndihma e tjetërkujt.

“Për shembull e-Kosova, nëse do të dinim ta përdornim do të mundnim t’i kryenim të gjitha shërbimet... Për pensionistë është pak e vështirë për t’i kryer shërbimet online. Mosha 70, 80 e më shumë vjeç është e vështirë. Kam lexuar në disa vende, aplikim online në këtë, aplikim online në atë edhe kam reaguar për këtë ‘onlinen’, sepse ku di një pensionist të aplikojë online për shembull”, ka thënë Kosumi.

Musa Ethemi, një tjetër pensionist, shpreh gëzimin që para dy javësh arriti që një faturë të energjisë elektrike ta paguajë online. Ai thotë se kjo do të ishte e pamundur pa ndihmën e djalit dhe nipave.

“Unë e kisha faturën prej 51 euro, ishte edhe dy apo tri ditë deri te shkyçja. Që të mos shkoj e të pres nëpër sportele, ndoshta ka rend të gjatë, mosha ime nuk i përballon edhe nëpërmjet telefonit, online, e kreva pagesën”, tregon Ethemi.

Pensionistët shpesh kërkojnë ndihmë përtej familjarëve të ngushtë, për të kryer shërbime online. Kjo i bën të qasshme për personat e tretë, edhe të dhënat personale, përfshirë ato bankare.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Dion Mulaj, e sheh me rrezikshmëri të lartë këtë dhe tregon se pikërisht personat në moshë të shtyrë janë më së shpeshti cak i mashtruesve.

“Këto teknika mund të fillojnë me gjëra të thjeshta, si një profil fallco në rrjete sociale, ku e impresionon një të afërm, të shënon, të kërkon të holla, mundohet të të mashtrojë për përfitime financiare”, ka thënë Mulaj.

Mulaj tha se ka edhe metoda më të sofistikuara ku viktimave, kryesisht të moshuar, mashtruesi ia prezanton një faqe në të cilën vendos të dhënat e llogarive të rrjeteve sociale por edhe të institucioneve bankare, e të cilat më pas i shfaqen hackerit. Ai këtë e demonstron në laptop.

“Pra është i ngjashëm dhe nuk mund të vërehet ndoshta me shikim të parë nga viktima. Hyn në atë link ku kërkohet rishikimi i fjalëkalimit, për shkak se dikush po keqpërdor llogarinë tënde. Viktima hyn në faqe, i shënon të dhënat e veta dhe hakeri i merr këto të dhëna dhe pastaj mund t’i keqpërdorë për qëllime të ndryshme”, ka treguar Mulaj.

Sherif Kastrati është kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës dhe kërkon nga institucionet programe për aftësimin e të moshuarve për përdorimin e teknologjisë. Ai përmendi disa sfida që kjo do t’ua hiqte pensionistëve.

“Sepse ai nuk do ta bënte tollovi para sporteleve, nuk do të shtyhet, nuk do t’i bjerë të fikët atij gjatë kërkesës, apo gjatë nxjerrjes së një dokumenti”, ka thënë kastrati.

Sipas një studimi të kryer në SHBA nga Universiteti i Çikagos, 63 për qind e personave të moshës 50-vjeçare dhe më të vjetër, përjetojnë të paktën një formë të abuzimin kibernetik në jetën e tyre. Studime të ngjashme nuk janë kryer në Kosovë. E të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se 99 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet, shifër kjo që kalon shumë vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Francën e Italinë.