Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar protestë, për siç kanë thënë, "gjendjen e keqe të serbëve".
Protesta është thirrur të mërkurën, 7 gusht, nga ora 11:00 në sheshin “Car Lazar” në veri të Mitrovicës.
Policia është njoftuar për protestën dhe të mërkurën do të jetë prezente për të siguruar që gjendja të mos dalë jashtë kontrollit - megjithëse nuk pret telashe.
"Grupi i qytetarëve e ka lajmëruar protestën e nesërme në ora 11:00, që planifikohet të mbahet në sheshin Car Lazar. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa Policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësinë publike
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të martën e ka përmendur këtë protestë duke thënë se serbët do të reagojnë për kërkesën që Ura e Ibrit të hapet.
Ditëve të fundit nga ndërkombëtarët ka pasur thirrje të qarta për moshapjen e kësaj ure. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërcënuar me reagim në rast se ndërmerren veprime për ta hapur atë pa marrëveshje paraprake me Serbinë. Reagime ka pasur nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it e nga BE-ja.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën ka qëndruar në veri duke insistuar se ura duhet hapur për qarkullim të automjeteve.