18 e 19 prill 1999

Të mbijetuarit: Askush s’na i mori dëshmitë për tmerret në Dyz e Koliq

Në 25-vjetorin e masakrës në fshatin Dyz të Podujevës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar drejtësi për viktimat. Pasi ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në këtë fshat, ai ka thënë se forcat serbe nuk kanë pasur dilema mbi vrasjen e shqiptarëve. E të mbijetuarit e kësaj masakre, kanë thënë se deri tash askush nuk ka marrë dëshmi për këto vrasje që kanë ndodhur më 18 prill në Dyz e 19 prill në Koliq

Drejtësi për viktimat është kërkuar në 25-vjetorin e masakrave të kryera nga forcat serbe në Llap dhe Gollak më 18 e 19 prill të vitit 1999.

Drejtues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe të enjten pranë varreve të 36 viktimave të masakrave në Kompleksin Memorial në Dyz. 

Nga 18 deri më 23 prill të vitit 1999, në disa fshatra të Podujevës ishin vrarë më shumë se 200 persona. 

E të mbijetuarit dhe dëshmitarët e këtyre dy masakrave i kanë kujtuar ngjarjet e 18 e 19 prillit si ditë të tmerrshme. 

“Para 25 vjetësh kemi qenë në Koliq, gjatë ofensivës, kanë gjuajtur në popullatë. Është vra vëllai im. Duke e ndihmuar vëllain jam plagosur edhe unë. Kështu që kjo ditë ka qenë e tmerrshme për popullin tonë edhe për popullatën që ka qenë këndej. Thuajse i gjithë Llapi ka qenë në këtë grykë duke ikur prej forcave kriminale, të cilat s’kanë këqyrur a ka gra, fëmijë, pleq. Ka edhe fëmijë, ka edhe pleq, ka edhe të rinj. Vëllai ka qenë 16 vjeç”, ka treguar i mbijetuari, Agron Behrami.

E dëshmitari i krimit, Isak Kutllovci, i ka ende të freskëta kujtimet e tmerrit.

“Krejt kanë qenë më automatikë të vrarë, tmerr ka qenë për t’i parë, shumë ka qenë tmerr edhe kemi ecur te xhamia e Koliqit, masakra ka ndodhë më 18. Edhe aty u kanë tmerr, tmerr. Ka pasur të vrarë 50-60, 100 ndoshta, se nuk kam mundur as t’i numëroj.... Një fëmije ia kishte këputur granata dorën, ajo tanke edhe me një sajle ia kemi lidhur, edhe na ka vdekur në dorë, edhe më nuk kemi mundur me u marrë me të. Tmerr ka qenë”, ka rrëfyer ai ngjarjen e 25 vjetëve më parë.

I pranishëm në homazhe, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në këto masakra nuk ishin kursyer as fëmijët e pleqtë. Ai ka shprehur vërejtjen se ndonëse Kosova sot e gëzon lirinë, pavarësinë, shtetin dhe demokracinë, asaj i mungon drejtësia për këto humbje që i ka përjetuar populli e në veçanti familjet.

“I bëj thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe gjyqësorit te ne që të bëjnë gjithçka që munden e dinë të intervistojnë të gjithë dëshmitarët, të grumbullojnë evidencat materiale dhe të fillohet me aktakuza, me gjykime e me dënime në mungesë për të vrarët në këtë rajon, sepse ne nuk duhet të harrojmë se edhe lirinë që e gëzojmë, por edhe përgjegjësitë që i kemi në shtet i kanë rrënjët te gjaku i dëshmorëve që nuk shlyhet dhe te emrat e tyre që nuk harrohen, sepse i përkasin historisë së popullit tonë tashmë”, ka theksuar Kurti.

Vetëm më 18 prill të vitit 1999, në masakrën e fshatit Dyz janë vrarë 62 martirë. Të mbijetuarit e kësaj masakre kanë thënë se deri tash askush nga policia dhe prokuroria nuk i ka marrë dëshmitë e tyre për këto krime të forcave serbe.