Procesi i privatizimit të shërbimeve të pastrimit dhe sigurimit është arsyetuar me mungesën e vendeve të lira për punësim në institucionet publike. Kjo është përdorur si strategji nga niveli qendror dhe ai lokal për t’u hapur rrugë punësimeve të tjera në administratë, në proces mësimor, e në staf tjetër mbështetës. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën është theksuar se procesi i privatizimit në sektorë të ndryshëm publikë, përfshirë shërbimet teknike si pastrimi, ka krijuar sfida serioze në sigurimin e kushteve të qëndrueshme dhe të drejta për punëtorët
Nadire Buzaku nuk i mori dy rroga gjatë vitit të kaluar. Ajo punon si mirëmbajtëse në shkollën fillore e të mesme të ulët “Naim Frashëri” në kryeqytet.
Ajo dhe njëmbëdhjetë kolegët e saj, për disa vite ishin punëtorë të sektorit publik. Shërbimi ku punoi ajo u privatizua në vitin 2009 e 2010. Që atëherë, Komuna e Prishtinës ua transferon mjetet kompanive private të kontraktuara për këtë shërbim, e këta të fundit vendosin për lartësinë e pagave të punëtorëve. Por, shumë herë ka ngecje në zbatimin e kontratave mes autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve privatë, e që pasojat e vonesave i vuajnë mirëmbajtësit e shkollave.
“Ka ndodhur te krediti që është dashur t’i marrim borxh diku, pasi në ato momente nuk ka dalë, është dashur me i marrë e me i la”, ka thënë Buzaku.
Buzaku e nënshkroi kontratën e parë me pagë 150 euro. Me këtë pagë u përkujdes për pesë vajzat e saj, që sipas saj nuk ishin të mjaftueshme. E pastaj për dhjetë vjet mori pagë rreth 270 euro.
“I kam pesë vajza, dy punojnë, por njëra është në fakultet, pothuajse gjysma e rrogës i shkon për fakultetin se është në privat. Një tjetër është në shkollë, por nuk ia dalim”, është shprehur ajo.
Në nëntor Komuna ka nënshkruar kontratë të re me operatorin ekonomik dhe aty parashihet që kjo kategori të paguhet 370 euro neto.
Ky ndryshim vjen pasi në fund të gushtit niveli qendror mori vendim që paga minimale të ngrihet nga 264 euro në 350.
Procesi i privatizimit të shërbimeve të pastrimit dhe sigurimit është arsyetuar me mungesën e vendeve të lira për punësim në institucionet publike. Kjo është përdorur si strategji nga niveli qendror dhe ai lokal për t’u hapur rrugë punësimeve të tjera në administratë, në proces mësimor, e në staf tjetër mbështetës.
Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën është theksuar se procesi i privatizimit në sektorë të ndryshëm publikë, përfshirë shërbimet teknike si pastrimi, ka krijuar sfida serioze në sigurimin e kushteve të qëndrueshme dhe të drejta për punëtorët.
Privatizimi ka rezultuar shpesh në kontrata të pasigurta, vonesa të pagesave dhe mungesë të mekanizmave mbikëqyrës për t’i garantuar të drejtat e punëtorëve.
Gjithashtu, janë ngritur shqetësime mbi transparencën dhe llogaridhënien e kompanive të kontraktuara nga institucionet publike, duke përfshirë edhe rrezikun për keqmenaxhim të fondeve.
Instituti “Musine Kokalari” merret me çështjet e politikave sociale. Visar Ymeri, i cili është drejtor në institut thotë se institucionet e arsyetojnë këtë veprim me menaxhimin më të lehtë të shërbimit të pastrimit, e me kosto më të ulët. Por sipas tij, këtë metodë të kostos më të ulët po e vuan klasa punëtore.
“Kjo është pak a shumë se si arsyetohet një lloj i tillë, në vend se t’i paguajnë me pagë të punëtorëve brenda listës së punëtorëve qoftë shkollës, qoftë Ministrisë, qoftë Kuvendit, e kështu me radhë, e merr, e kontrakton një kompani, e cila pastaj të kushton në afatgjatë më lirë sesa po t'i mbajë punëtorët brenda. Këtu tash ky është problemi kryesor, që neve na shpërfaqet, sepse në raste të tilla ta zëmë, kur për shembull merremi me një kompani që ofron siguri fizike ose me një kompani që ofron mirëmbajtje të ndërtesave apo pastrimit, aty duhet të kemi parasysh që këto janë biznese, në të cilat kostoja e vetme është puna. Se nuk ka kosto tjetër. Këto makineritë janë kosto e papërfshirë dhe rrjedhimisht në momentin që e kontrakton një kompani e cila kushton me lirë, dije që kjo është në kurriz të rrogave të punëtorëve...”, ka thënë Ymeri.
Puna e njëjtë, vendi i njëjtë dhe paga të ndryshme
Megjithatë, jo të gjithë punëtorët teknikë që përkujdesen për shkollat janë të angazhuar me të njëjtat kushte. Në shkollën e mesme ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, dallimi mes atyre që marrin paga nga shteti dhe atyre të kontraktuar nga kompani private është e dukshme.
Fehmi Bislimi, punëtor teknik që ka afër njëzet vite që përkujdeset për pastërtinë e kësaj shkolle, ndan të njëjtat detyra me kolegët e tij të punësuar nga shteti.
Ai është përgjegjës për katin e parë, e kolegu i tij për pjesën tjetër me të njëjtën hapësirë metrash katrorë.
Por ai nuk gëzon pagën e tij prej 420 eurosh dhe as beneficionet që lidhen me përvojën.
“Në të njëjtin objekt, të njëjtën punë e bëjmë dhe nuk paguhet. Edhe kompania i ka interesat e tyre, trustin shumica nuk e ka paguar, ua kërkon të thonë nuk është çështje e jona, e kujt është kjo çështje?”, ka thënë Bislimi.
Sipas Visar Ymerit, trajtimi jo i barabartë në vendin e njëjtë të punës ndikon në performancën e punëtorëve.
“Natyrisht që institucionet duhet të kujdesen që shërbimet që marrin, të jenë sa më cilësore dhe të kushtojnë sa më lirë për to, kjo është në parim. Mirëpo duhet të kenë parasysh që kur të nënshkruhen kontratat me këto kompani, për shembull punëtorit të sektorit që vjen nga kompani private, unë mendoj që cilido institucion kontraktues që është ai i Kuvendit ose Komunës e kështu me radhë, kanë në dorë t’i përcaktojnë në njëfarë mënyre edhe kushtet e punëtorit, sepse kur nënshkruhet kontrata, mund të paraqesë kushte”, ka deklaruar Ymeri.
E punëtori Fehmi Bislimi thotë se kanë marrë premtime nga niveli lokal që privatizimi i shërbimeve të pastrimit do të zgjatë vetëm një vit.
“Po, për ne kanë ardhur nga kompani dhe kanë thënë merrni teshat këtu, kush dëshiron të punojë të vazhdojë punën, por kush nuk dëshiron, të shkojë në shtëpi, dy sende janë këtu. Ka pasur edhe punëtorë që e kanë lëshuar punën në atë kohë si ka ardhur kompania, por ne kemi mbetur me shpresën që ndoshta po bëhet më mirë, kemi marrë edhe premtime që të na kthejnë ashtu siç kemi qenë, ato vetëm llafe kanë qenë”, ka thënë ai.
Dikush me shtet e dikush me privat, por në të njëjtin kulm
Në Komunën e Prishtinës janë rreth 130 punëtorë teknikë në katërmbëdhjetë shkolla fillore dhe të mesme të larta që menaxhohen nga kompanitë private.
Edhe Nazif Hyseni, që tash e njëzet e pesë vjet kujdeset për ambientet ku mbahet procesi mësimor për nxënësit e shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë, thotë se kanë pranuar të privatizohen me premtimin që kjo gjendje është vetëm përkohësisht.
“Në qoftë se privatizohet punëtori, duhet të gjithë dhe jo të shkojë më të njohshëm në përzgjedhjen kush me shtet dhe kush me privatin, kur jemi në të njëjtin kulm. Në 2009-n kur jemi privatizuar, ka qenë si pilot-projekt njëvjeçar. Në qoftë se ka sukses me privatizimin, të gjitha shkollat të privatizohen, ajo nuk ka ndodhur asnjëherë. I kanë punësuar më shumë mësimdhënës dhe nuk kanë pasur para, kanë thënë t’i privatizojmë punëtorët teknikë”, ka thënë Hyseni.
Në Komunën e Prishtinës nuk treguan nëse kanë ndonjë plan që punëtorët teknikë t’i rikthejnë nën ombrellën e tyre. Gjithashtu nuk dhanë sqarim as për dy muaj që punëtorët mbetën pa paga gjatë vitit paraprak.
Për problemin që përfshin një shtresë të punëtorëve në të gjithë territorin e Kosovës, nuk u deklaruan as në Qeveri e Ministri të Financave.
Për pakënaqësitë me paga, me mospagesën e kontributeve e mosrespektimin e të drejtave që u takon me Ligjin e punës, janë mbajtur edhe greva. Në fillim të këtij viti, punëtorët teknikë në Prishtinë mbajtën grevë për një javë për të shprehur pakënaqësitë ndaj pagave të ulëta. Në po të njëjtën kohë hynë në grevë edhe 280 punëtorët teknikë në Gjilan. E 220 punëtorë të pastrimit e mirëmbajtjes në Universitetin e Prishtinës dhe në Qendrën e Studentëve mbajtën grevë në mars të këtij viti për pagesa të rregullta e për paga më të larta. Këto sollën pengesa edhe në mbarëvajtjen e rregullt të procesit arsimor në këto institucione. Nxënës e studentë qëndruan me javë në ambiente me mungesë të higjienës.
Kontratat e institucioneve publike me operatorët ekonomikë për mirëmbajtje kanë një kohëzgjatje prej gjashtë muajsh deri në një vit. Me përfundimin e kontratës, periudha e procesit të tenderimit për nënshkrimin e kontratës së re sjell probleme. Procedurat e tenderimit shpeshherë zvarriten pas ankesave që parashtrohen nga operatorët ekonomikë. Për pasojë, punëtorët mbesin pa paga deri në nënshkrimin e kontratës së re.
Këto probleme, ia pamundësuan Ilaz Aliut që ta dërgojë gruan e tij për mjekim, pasi nuk pranoi pagë për afro dy muaj nga puna që bën si mirëmbajtës në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Mospagesa e rregullt
Por edhe pa pagë, Aliu nuk e ka ndalur punën, siç ka thënë ai për hir të nxënësve.
“Ne kemi mbetur pa pare, s’po dimë çfarë të bëjmë. Duhet të udhëtojmë çdo ditë, thuajse shkoj në këmbë çdo ditë, ashtu siç të mundem prej Fushë-Kosove, është e mundimshme, por nuk kam çfarë të bëj. Gruan e kam të sëmurë shumë, kam harruar t’i marr letrat t’ju tregoj, e kanë shkruar në letra që dy-tri javë të shkojë në spital për t’u shtrirë, por nuk kam si ta dërgoj pa pare, pa asnjë cent në xhep”, ka deklaruar Aliu.
Në të njëjtën situatë është gjendur edhe Nazif Hyseni, ku për mjekim i është dashur të marrë para hua.
“Ne kemi mbetur 3 muaj ditë pa rroga, kemi punuar 20 deri 30 vjet dhe tani na kanë gjuajtur me shkelm në tokë, thonë derisa të bëhet tenderi me tjetrën kompani. Por a jeni ju drejtoreshë e DKA-së, si mund t’i lësh punëtorët pa rroga tre muaj ditë, tash ne kemi mbetur, çka të bëjmë, ne gjithherë i kërkojmë të drejtat tona”, ka shtuar Hyseni.
Fidan Qerimi, profesor i lëndëve të ekonomisë, thotë se punëtorët teknikë të angazhuar në institucione shtetërore, e vuajnë pasojën e mungesës së inspektorëve të punës.
Ai po ashtu thotë se personat që caktohen përgjegjës të mbikëqyrjes së kontratës së Komunës me operatorin ekonomik, duhet të japin llogari për defektet e prodhuara në këtë proces.
“Fatkeqësisht ne kemi numër të lartë të administratës, por kemi numër të ulët të inspektorëve. Ky është një defekt në sistemin tonë që do të duhej të ketë më shumë inspektorë, për çdo kontratë ka një mbikëqyrës që e këqyr, do të thotë e mbikëqyr punën e secilit, secilës kontratë edhe këtu nuk e kryejnë detyrën këta persona. Nëse do ta kryenin këta persona detyrën si duhet, atëherë nuk do të kishte mungesa në krijimin e në kryerjen e kësaj kontrate, shërbimin që kërkohet dhe do të kryhej në mënyrën e duhur, po fatkeqësisht përgjegjësia te këta persona është jo në nivelin e duhur, ndoshta edhe nuk kanë mbikëqyrje të duhur, fatkeqësisht”, ka vlerësuar Qerimi.
Respektimin e të drejtave të punëtorëve, bazuar me ligjet në fuqi, i mbikëqyrin 60 inspektorë të punës.
Për më shumë se dy muaj, punëtoret e Kuvendit të Kosovës protestuan për kushte më të mira. Përkundër se ligji parasheh një pagë minimale 350 euro, Kuvendi ka lejuar që punëtoret teknike të këtij institucioni, të paguhen më pak sesa që e thotë ligji.
E grevën që e mbajtën ato, u kushtoi me vend pune. Kompania e angazhuar nga Kuvendi, i hoqi nga lista grevistet. Rasti u dërgua edhe në Inspektorat. E ky institucion, më 27 nëntor, ka nxjerrë një raport zyrtar, nëpërmjet të cilit ka konstatuar se kompania ka bërë disa shkelje me largimin nga puna të 15 punëtoreve teknike.
Sipas inspektoratit, kompania shkeli ligjin e punës, ligjin për grevat dhe ligjin për pagën minimale.
Kësisoj, asaj i është kërkuar eliminimi i këtyre shkeljeve brenda tri ditësh pas pranimit të raportit. Në të kundërtën, ndaj saj janë paralajmëruar masa.