Të hënën në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, nga ora 12:00, do të mbahet mbledhja komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës” në nderim të veprës dhe jetës së fotoreporterit Alban Bujari.
Fotoreporteri i Grupit KOHA, Alban Bujari, vdiq në mbrëmjen e 27 shkurtit pa i mbushur 55 vjet.
Në mbledhjen komemorative të hënën do të shfaqet dokumentari për Bujarin, “Dokumentuesi i luftës dhe i paqes”.
Alban Bujari ishte pjesë e ekipit të KOHËS që kur nisi karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997.
Ai ishte pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90-ta. Në veçanti luftën mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe, puna e Bujarit u botua në mediat më prestigjoze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News”, e plot të tjera.
Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrimit të familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999, masakrën e shqiptarëve në Rogovë më 1999. Dhe pos tjerash edhe faktimin e transformimit të UÇK-së në TMK e deri në FSK-në profesionale me synim në NATO.
Alban Bujari gjithashtu ka punuar edhe për agjencinë evropiane të shtypit EPA, përgjegjës për mbulimin e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99.
