Gjykata Penale e Brukselit të enjten (9 janar) do të nisë procedurat për rishqyrtimin e rastit të Veselin Vukotiqit dhe Andria Drashkoviqit, të cilët akuzohen si dy nga katër autorët e vrasjes së aktivistit nga Kosova, Enver Hadri, raporton gazeta “L’avenir”.
Hadri u vra me plumb në kokë më 25 shkurt të vitit 1990 në Saint-Gilles të Belgjikës teksa ishte duke pritur në semafor me veturë. Hadri kishte me vete listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia të cilën do t'ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Parlamentin Evropian.
Gjykata Penale e Brukselit të hënën zgjodhi anëtarët e jurisë të cilët do ta rishqyrtojnë rastin. Procedurat e rishqyrtimit do të nisin të enjten nga ora 09:00.
Vukotiq, 72 vjeç, dhe Drashkoviq, 60 vjeç, u dënuan në mungesë me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2016 nga Gjykata e Apelit në Bruksel për vrasjen e Hadrit, ish-presidentit të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Juria pati konstatuar se këta dy persona vepruan me urdhër të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë. Urdhrin, sipas gjykatës, e ka dhënë kryeinspektori Bozhidar Spaçiq, i cili gjithashtu është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm.
Vukotiq dhe Drashkoviq apeluan vendimin dhe tek pas tetë vjetëve, pra në janar të vitit 2025, u është mundësia për rishqyrtim të rastit.
*KOHA ka postuar paraprakisht një artikull të publikuar në disa media belge dhe serbe, të cilat gabimisht kanë raportuar se Gjykata në Bruksel ua ka konfirmuar tre vrasësve të dyshuar të Enver Hadrit dënimin me burgim të përjetshëm. Ata janë dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm. Dy prej tyre u është konfirmuar apelimi dhe jo dënimi, siç kanë raportuar mediat në fjalë. KOHA e ka bërë përmirësimin posa e ka siguruar informatën e saktë. Ju faleminderit për mirëkuptim!