Më 14 nëntor (e enjte) do të nisë gjykimi në Dhomat e Specializuara ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës. Ata po akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se mes 5 dhe 13 prillit të 2024-s, me urdhër të Shalës, Januzi dhe Bahtijari janë takuar me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur që të tërheqë dëshminë. Kjo thuhet se është bërë nëpërmjet kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo ndonjë formë tjetër përfitimi.
“Më 14 nëntor, Kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë leximin e akuzave për të akuzuarit, do t’i informojë ata mbi të drejtat dhe detyrimet dhe do t’i pyesë nëse e kanë kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshirojnë të konfirmojnë vetëdeklarimin e tyre të mëhershëm si të pafajshëm. Më pas, ZPS-ja do të paraqesë deklaratën hyrëse që do të pasohet nga deklaratat hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe Mbrojtjes së Shalës. Sikurse kanë kërkuar palët përkatëse, Trupi Gjykues ka planifikuar dy orë për deklaratën hyrëse të ZPS-së, një orë për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe 30 minuta për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Shalës”, thuhet në komunikatë.
Aty u theksua se mbrojtja e Bahtijarit do të mbajë deklaratë hyrëse.
Më 9 dhjetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të nisë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.