Arbëri

Të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika dërgohen në gjykatë

Foto: KSP

Foto: KSP

Të dyshuarit për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, të shoqëruar nga Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës janë dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Të arrestuarit H.B, E.L, Sh.K, R.M, D.G dhe V.Ç., të martën do të dalin para gjykatës në seancën dëgjimore, e cila do të mbahet e mbyllur për media.

Të hënën në Kaçanik janë arrestuar shtatë persona të cilët dyshohen për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika.

Seanca dëgjimore mbahet sot me fillim nga ora 13:00.

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar një muaj paraburgim për gjashtë të arrestuarit.

Ndërkaq dje, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës prej një muaj paraburgim kundër të miturit R.B, si i dyshuar kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, më 1 prill në Kaçanik.

Muhamed Lika u vra në shkallët e ndërtesës ku jetonte në Kaçanik, më 1 prill derisa po kthehej nga puna.


KOHA ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e R.B. si të dyshuar për vrasje të rëndë. Ai dyshohet se veprën e ka kryer në bashkëkryerje me H.B., R.M., V.Ç., E.L, Sh.K. dhe D.G. 

Sipas Prokurorisë, R.B. e ka përcjellë gjatë natës policin Muhamed Lika deri tek hyrja e banesës dhe pasi është nisur shkallëve, i dyshuari ka shtënë në drejtim të policit. Në vend të ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri R.B. dyshohet se ka ikur në drejtim të një lokali ku ka takuar R.M., që dyshohet se po e priste dhe bashkë më pas kanë ikur. Duke vrapuar është dëgjuar një zë që thotë “bravo, ik”. 

Sipas Prokurorisë, nga incizimet prej vendit të ngjarjes dhe kamerave të sigurisë përreth janë kuptuar lëvizjet e të dyshuarve para, gjatë dhe pas aktit.

I pandehuri H.B. dyshohet se 14 minuta pas rastit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe dy minuta pas qëndrimit aty është larguar.